“Manchester City nuk është një ekip normal”

Skuadra e Manchester City, me 16 fitore të njëpasnjëshme në Premier League, është “jonormale” dhe do të hyjë në histori, sipas ish-lojtarit, Roque Santa Cruz.

Paraguajani u bashkua me “qytetarët” nga Blackburn Rovers në vitin 2009, një vit pasi klubi u ble nga Sheikhu Mansour, shpenzimet e të cilit kanë nxitur ngritjen e kësaj skuadre angleze në krye. Të besuarit e Pep Guardiolës janë 11 pikë të qarta në krye të Premier League, në periudhën festive të fundvitit, por Santa Cruz beson se gara e titullit nuk është plotësisht e zgjidhur, pavarësisht nga përparësia masive e ish-skuadrës së tij:

“Rezultatet flasin për veten e tyre. 16 fitore rresht nuk është normale, është një rekord historik. Nuk e di nëse kjo përbën rekord vetëm në Angli, por ndoshta në të gjithë Europën. Premier League është një ligë shumë konkurruese dhe për të fituar të gjitha ndeshjet është vërtet shumë e vështirë. Por, duke bërë këtë, Manchester City nuk ka krijuar një hendek të madh me Manchester Unitedit. Këtë vit ne po shohim një ligë të pazakontë. Le të presim deri në fund të dhjetorit, që është një muaj shumë zbulues, sa i përket parashikimit se si mund të përfundojë gara”.

Manchester City do të përballet me Bournemouth në Premier League të shtunën, me një shans për ta zgjeruar kryesimin e tij në 14 pikë nga Manchester United, i cili udhëton për në Leicester City, më vonë, gjatë ditës. Skuadra e Guardiolës është, gjithashtu, në rrugën e duhur për të sfiduar katër trofe, pasi ka rezervuar një vend në 16-she të Ligës së Kampioneve, ku do të përballet me Basel, ndërsa Bristol City e pret në gjysmëfinale të “Carabao Cup”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here