Luante pak dhe fliste shumë. Kjo është historia e Lucas Mouras, të paktën në këndvështrimin e të përditshmes franceze “Le Parisien”.
Sipas versionit të “Le Parisien”, arsyeja se pse braziliani përfundoi te skuadra e Tottenham në këtë sesion të fundit të merkatos, kishte të bënte me faktin që 25-vjeçari ishte një thashethemexhi i thekur.
Ai fliste me gazetarët, zbulonte sekrete të grupit, incidentet apo hatërmbetjet, duke thyer në mënyrë të hapur rregullin e parë të një grupi të unifikuar, ajo që ndodh në dhomat e zhveshjes mbetet aty.
Lucas Moura dhe Ben Arfa, me këtë të fundit i cili vijon të qëndrojë te PSG, përbënin dyshen që thyente këtë rregull. Prandaj klubi i Parisit ka qenë më se i lumtur t’i hapte dyert e largimit brazilianit, jo për arsye financiare apo teknike, por thjesht disiplinore dhe etike.