Jupp Heynckes shkroi historinë e Bayernit tw Mynihut në sezonin e 2012-2013, kur klubi bavarez triumfoi në të tre kompeticionet; Bundesliga, Champions League si dhe në Kupën e Gjermanisë.
Megjithatë, tekniku 72-vjeçar, i rikthyer këtë sezon në stolin e gjigantit gjerman, mendon se skuadra aktuale është më e fortë se ajo e 4 viteve më parë.
Edhe pse konkurrenca në futboll ka ndryshuar për trajnerin gjerman, duke parë milionat e eurove të investuara nga klubet angleze në vitet e fundit, Heynckes është i bindur se grupi i lojtarëve që zotëron është në thelb më cilësor se ai i fitores së trefishtë.
Gjithsesi, sipas trajnerit kjo nuk garanton që Bayerni mund të fitojë Champions Leaguen këtë vit, sepse ky kompeticion është bërë edhe më i fortë. Por duke parë situatën aktuale, klubi bavarez i ka të gjitha mundësitë të rishkruajë historinë.
Kjo pasi Bayern është në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, në Champions League e ka pothuajse të sigurtë kalimin në çerekfinale pas fitores 5-0 ndaj Besiktas, ndërsa në Bundesliga kryeson me 20 pikë avantazh ndaj vendit të dytë.