Në këtë merkato vere, Real Madrid është padyshim një nga protagonistët kryesorë, nga ku nuk bën përjashtim as portieri Keylor Navas.
Duket se teatri dhe estrada e klubit madrilen me portierin do të vijojë edhe më gjatë.
Pavarësisht se ka qenë titullari i padiskutueshëm në portën e Real Madrid duke kontribuar në tre trofetë e Champions League të fituar në tre edicionet e fundit të njëpasnjëshme, drejtuesit e Galaktikëve nuk janë mjaftuar kurrë.
Përkundrazi, në çdo dritare të merkatos, tentativa për gjetjen e një portieri tjetër ka qenë në qendër të synimeve, por me tratativa gjithmonë të dështuara, fillimisht me De Gea, Donnarumma e tashmë duket se të njëjtin fat do të ketë tentative me Courotis.
Dhe si gjithmonë në vitet e fundit, në pamundësi për të shënjestruar dhe finalizuar blerjen e një portieri tjetër, Real Madrid edhe në këtë merkato është rikthyer te Navas. Të paktën kështu raportohet nga Kosta Rika, aty mediat informojnë se klubi ka njoftuar portierin për qëllimet e rinovimit të kontratës.
Vetë Keylor ka oferta për tu larguar nga Madrid, por sikurse ka dëshmuar edhe më parë, opsioni i parë për atë mbetet Reali. Sipas raportimeve të La Nacion ardhja e trajnerit Julen Lopetegui nuk do të reflektojë asnjë problem mbi pozitat e portierit, aq më shumë kur ka qenë pikërisht Lopetegui, ai që ka tentuar të blejë Navas, në kohën kur tekniku drejtonte Porton. Navas, 31-vjeçar ka ende dy vite kontratë me “Los Blancos” dhe mund të zgjasë kontratën edhe për dy sezone të tjera.