Thibaut Courtois u rrit në akademinë e Genk me të cilën bëri edhe debutimin e tij në ligën belge, ku shkëlqeu për tu transferuar më pas në vitin 2011 te Chelsea. Për këtë arsye ai ishte sot prezent për sfidën Genk-STVV e vlefshme për Jupiler Pro League, për të shkelmuar topin e parë. Ende në pushime, Courtois nuk deshi të zbulojë të ardhmen e tij, teksa është përfolur shumë në lidhje me largimin nga Chelsea. I pyetur në lidhje me këtë çështje të nxehtë, portieri belg preferoi të evitojë zbulimin e vendimit të tij.
“Në këtë moment nuk mund të them shumë për këtë çështje. Jam shumë i qetë, dhe nëse nervozohem nuk më ndihmon. E rëndësishme është që të gjendem i gatshëm dhe përgatitur për sezonin e ri”, deklaroi Courtois. Ndërkohë, duket se Chelsea nuk do të lejojë largimin e Courtois, të paktën jo deri sa të gjejë një zëvendësues të garantuar. Në pritje të vendimit të portierit belg është edhe vetë trajneri i Chelseas, Sarri.