Ansi Agolli, kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, është gati ta ndihmojë përfaqësuesen që ta nisë në mënyrën e duhur aventurën në Nations League, kompeticioni më i ri i UEFA-s për ekipet kombëtare.
Ai ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme.
– Me kthimin tuaj në kombëtare, trajneri duket se i ka besuar eksperiencës në një moment kritik. Si mendoni për këtë zgjedhje?
“Sa herë që kombëtarja ka nevojë për ne, duhet të jemi gati. Kombëtarja është maksimumi dhe ne duam të japim ndihmën tonë, në fushë dhe jashtë saj”.
– Si e keni gjetur ambientin pas kthimit, po dy miqësoret e fundit të humbura kundër Ukrainës dhe Kosovë, si i keni përjetuar?
“Nuk më duket se jam larguar nga kjo kombëtare. Shpresojmë të ndihmojmë të rinjtë, edhe pse ata duhet të japin vetë maksimumin. Jemi gati për nesër, është një klimë pozitive. Humbjet na ka dhënë shumë mësime dhe nesër do të jetë ndryshe”.
– A ka një objektiv kombëtarja në Nations League?
“Është pak herët. Nesër fillon kompeticioni i ri, një eksperiencë e re. Objektivi i parë është që të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të fitojmë ndeshjen. Më pas do të shohim”.
– Shqipëria, më e fortë apo më e dobët në krahasim me ekipin që u mund nga Izraeli këtu?
“Kemi një eksperiencë të hidhur. Mendoj se në atë ndeshje nuk kemi dhënë maksimumin, por u ndëshkuam nga kartonët e kuq dhe penalltia. Skuadra ka ndryshuar dhe nesër do të jetë një ndeshje e re. Do të jetë diçka tjetër”.
– Kombëtarja e Europianit nuk pësonte gol, cili është problemi me ekipin aktual që pëson vazhdimisht?
“Nuk mendoj se ka lidhje. Para se të shkonim në Europian ka ardhur gjithçka në mënyrë spontane. Tani është një fillim i ri, t’i harrojmë miqësoret e luajtura deri tani. Nesër fillon gjithçka dhe besoj se jemi gati”./Telesport