
Sulmuesi i Kukësit, Artur Reginaldo, është shpallur “Futbollisti i Muajit” në Superligë. Ky çmim i është dorëzuar sot sulmuesit në ambientet e klubit, pak para konferencës së zakonshme për shtyp, për ndeshjen Kukësi-Partizani. Në fjalën e tij Reginaldo është shprehur i lumtur për çmimin, ndërsa ka premtuar se do të bëj më të mirën për Kukësin.
“Jam shumë shumë i lumtur që kam fituar këtë çmim. Do të vazhdoj të bëj maksimumin për këtë skuadër. Do të punoj më fortë për të bërë më të mirën për Kukësin”-tha Reginaldo.
Ky çmim jepet çdo muaj nga shoqata “Sporti na Bashkon” dhe “RTSH”, për futbollistët e skuadrave të Kategorisë Superirore. Sulmuesi i Kukësit ka spikatur deri më tani me skuadrën verilindore, me disa gola të shënuar. Çmimi futbollistit të Kukësit i është dorëzuar nga gazetari sportiv Olsi Karagjozi.