Avokati i CR7: Akuzat për përdhunim, me dokumente të falsifikuara

Me një deklaratë të gjatë për shtyp, të publikuar në faqen zyrtare të “Gestifute”, kompania e Jorge Mendes, avokati i Cristiano Ronaldos, Peter S.Christiansen, sqaroi më tej pozitën e klientit të tij në lidhje me akuzat për përdhunim: “Unë jam punësuar për të përfaqësuar Cristiano Ronaldon, pas një padie civile të kohëve të fundit, bazuar në ngjarjet e pretenduara se kanë ndodhur në vitin 2009 dhe të cilat ishin subjekt i një marrëveshjeje të arritur në vitin 2010, sipas të cilës, të dyja palët nuk do të kenë pretendime reciproke.

Duke pasur parasysh shkeljen e kësaj marrëveshjeje nga ana tjetër, si dhe akuzat e avancuara mediatike në ditët e fundit, Cristiano Ronaldo është i detyruar për të thyer heshtjen mbi këto fakte të pretenduara, duke dhënë përgjigje proporcionale në rast të mospërputhjes me palën tjetër. Kështu që nuk ka asnjë dyshim: Cristiano Ronaldo i mohon me forcë të gjitha akuzat në këtë aksion civil, në përputhje me atë që ai ka bërë në 9 vitet e fundit.

Dokumentet që thuhet se përmbajnë deklarata nga Cristiano Ronaldo dhe janë riprodhuar nga mediat janë shpikje të pastra. Në vitin 2015, dhjetëra subjekte (duke përfshirë firmat ligjore) u sulmuan në pjesë të ndryshme të Europës dhe panë shumë informacione, rreth postës së tyre elektronike, të vjedhura nga një haker. Ky haker pastaj u përpoq për ta shitur këtë informacion, që të ketë askses në media të papërgjegjshme, duke botuar disa nga dokumentet e vjedhura, pjesë të rëndësishme të cilave janë ndryshuar dhe / ose janë falsifikuar plotësisht.

Edhe një herë, për të shmangur keqkuptimet, qëndrimi i Cristiano Ronaldos ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë e njëjtë: ajo që ndodhi në vitin 2009 në Las Vegas ishte plotësisht konsensuale. Cristiano Ronaldo nuk e mohon se ka rënë dakord të lidhë një marrëveshje, por arsyet që e çuan atë për ta bërë këtë janë keqinterpretuar. Kjo marrëveshje nuk është aspak rrëfim e pranim i fajit. Cristiano Ronaldo thjesht kishte ndjekur këshillat e avokatëve të tij për t’iu dhënë fund akuzave të rreme, të bëra kundër tij, në mënyrë që të parandalojë përpjekjet, të tilla si ato që ne po shohim tani, për të shkatërruar një reputacion të ndërtuar përmes punës së madhe dhe sjelljes etike të patëmetë.

Edhe pse Cristiano Ronaldo është i mësuar për të qenë subjekt i vëmendjes së vazhdueshme të mediave, është absolutisht për të ardhur keq, që media të caktuara vazhdojnë të përhapin dhe inkurajojnë një fushatë diskreditimi të qëllimshme në bazë të dokumenteve të vjedhura dixhitale dhe të lehtë për t’u manipuluar. Ndërsa avokatët e tij në SHBA dhe Europë po kujdesen për të gjitha aspektet ligjore të këtij rasti, Cristiano Ronaldo ka shprehur besimin e plotë se e vërteta do të mbizotërojë, pavarësisht bujës aktuale me dezinformata, dhe se ligjet në shtetin e Nevada-s do të jenë për t’u respektuar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here