Super lajm: Fury udhëton drejt Amerikës për kontratën me Wilder, revanshi në…

Boksieri britanik Tyson Fury do të udhëtojë në Amerikë për të firmosur kontratën e dytë me Deontay Wilder, me dy boksierët e pamposhtur të peshës së rëndë që pritet të duelojnë sërish verën e 2019-ës.

Sfida e parë zhvilluar në Los Anxhelos më 2 dhjetor u mbyll në barazim, ndaj dy boksierët kanë kërkuar revanshin, duel që është i vlefshëm për titullin kampion bote në kategorinë WBC, i cili mbahet nga Wilder.

Sipas medieve britanike, Fury është dakord që edhe revanshi të zhvillohet në Amerikë dhe jo në Britaninë e Madhe siç ishte përfolur (boksieri britanik donte të duelonte në Manchester, në vendlindjen e tij).

Madje po punohet që kjo sfidë e dytë mes Wilder dhe Fury të organizohet në stadiumin “T-Mobile Arena” të Las Vegasit, me britanikun që është gati të rinisë sulmin për të “pushtuar” Amerikën.

Sfida e parë në Los Anxhelos u mbyll në pa fitues, me një gjyqtar që dha rezultatin e tij për Wilder (115-111), njëri për Fury (114-111) dhe i treti barazim (113-113). Kjo ishte hera e parë në karrierën e dy boksierëve që barazonin, me Wilder që numëron 40 fitore e asnjë humbje, ndërsa Fury ka arritur 27 fitore e asnjë humbje në karrierën e tij.

Kjo sfidë e dytë mes tyre do të linte me “gisht në gojë” Anthony Joshua, që më 13 prill do të duelojë në stadiumin “Wembley”, por nuk ka ende një rival.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here