Arbitri i njohur: Emre Can bëri penallti ndaj Contit

Arbitrat italianë gabuan sërish dhe e bënë këtë sërish në favor të Juventusit, këtë herë nga Jeddah i Arabisë Saudite, ku u zhvillua edhe ndeshja e Superkupës, mes bardhezinjve dhe Milanit, fituar nga torinezët me rezultatin minimal 1-0.

Veçanërisht polemika u shkaktuan për mënyrën sesi u vendos të mos merrej në konsideratë VAR-i në dy raste në favor të Milanit, ndërsa u pa me lupë një ndërhyrje e rëndë e mesfushorit të kuqezinjve, Franck Kessie ndaj Emre Can.

Ish gjyqtari i kampionatit italian, Graziano Cesari, i cili tashmë punon në moviolën e mediave italiane, ishte më i ashpri ndaj gjyqtarit kryesor Luca Banti, duke analizuar edhe rastet në bazë të pamjeve filmike.

“Kam mbetur i befasuar kur Banti vendosi të mos shohë në VAR ndërhyrjen e Emre Can ndaj Contit, pasi ishte në një moment kyç të sfidës dhe mund të ndryshonte rrjedhën e saj. Siç e tha edhe Gattuso, VAR-i është thirrur për të shuar dhe jo për të shtuar polemikat. Kartoni i kuq ndaj Kessie ishte tërësisht i merituar, por faulli i tij ishte i njëjtë me atë të Matuidi, i cili u injorua nga Banti. Edhe ndërhyrjen e Emre Can ndaj Contit e shoh si penallti të pastër, pasi mesfushori i Juves nuk prek topin për asnjë moment dhe bën faull të shkujdesur në rrëshqitje”, tha Cesari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here