Po shndërrohet në çështje brenda grupit, Solari “dënon” Iscon

Ditën e djeshme te Reali i Madridit u realizua fotoja zyrtare, e para me trajnerin Santiago Solari. 25 lojtarët e madrilenëve pozuan në “Ciudad Real Madrid” së bashku me trajnerin argjentinas dhe presidentin Florentino Perez. Përveç fotos së grupit, “Galaktikët” publikuan një total prej 20 imazhesh të setit. Çudia? Isko shfaqej vetëm në foton zyrtare…

PËRSHËNDETJA – Spanjolli po përjeton një nga momentet më negative te “Galaktikët” dhe Solari e ka zëvendësuar në më shumë se një rast: në të fundit, kundër Alaveshit, fantazisti madje refuzoi t’i jepte edhe dorën.

Çendo, delegati i Realit, e kërkoi për ta përshëndetur në momentin që ndeshja kishte përfunduar, por ish-lojtari i Malagës nuk e pranoi gjestin, duke u larguar nga fusha: shenjë e dukshme e nervozizmit që po përjeton lojtari në “Bernabeu”. Herë të tjera ka ndodhur edhe me Kurtuanë e Marianon, por rasti që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve është Isko, një nga “peshat e rënda” të skuadrës.

SITUATA – Mungesa nga fotografia e grupit duket si “dënimi” i radhës: pikërisht kundër Alaveshit, Solari e aktivizoi vetëm në minutën e 86-të, për të zhvilluar praktikisht çastet e fundit të takimit.

Situata aktuale në skuadër është e tendosur: nuk shihet ndryshe veçse si një zëvendësues, por çdo ndeshje që kalon luan gjithmonë e më pak dhe duket se gjendja vetëm do përkeqësohet me riaftësimin e të dëmtuarve: Bejl, Asensio e Marko Lorente janë gati t’i marrin vendin.

Nga momenti që Solari është ulur në stol, Isko ka qenë titullar në vetëm tri ndeshje nga 23. Çështja shndërrohet në problem në javën ku Reali do përballet me Barcelonën në Kupë dhe me Atletikon në kampionat, pasi Solari me siguri do kërkojë lojtarë të kthjellët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here