Sfidë bomberash për një vend në Champions, lideri Zapata kundër “vrasësit” Piontek

Goli është “emëruesi” i përbashkët, ndërsa i ndryshëm është festimi i tyre. Nga njëra anë “zbrazet arma”, nga tjetra dy duar i drejtohen qiellit. Sa herë (18 në 12 ndeshje) i kemi parë këto skena në kohët e fundit. Nga njëra anë qëndron Duvan Zapata, i cili kur shënon nuk harron të kujtojë të ëmën, Elfën, e ndarë nga jeta në 2010-ën. Pasi kolumbiani sheh lart, më pas nuk ka më frikë nga askush. As në sfidat brenda sfidës, si ajo e sotmja.

Këtë sezon, në krye të Atalantës së tij i ka dhënë leksione, Ikardit, Ronaldos dhe Imobiles. Sot përballë do të ketë Kristof Piontek, i cili gjithashtu është një njohës i mirë i portave rivale. Plot 13, ekipet e nënshtruara deri tani me 23-vjeçarin që shprehet gjithnjë gati për të dërguar sferën në rrejte, siç ka bërë në katër ndeshjet e fundit me kuqezinjtë.

Dueli – Sot mbase nuk luhet për gjithçka, por me siguri luhet shumë. Milani mban vendin e katërt më 39 pikë. Një më pak e një vend më poshtë, Atalanta. Polonia dhe Kolumbia kanë një hesap për të larë sot në 20:30. Paraqitjet bëjnë përshtypje, sidomos nëse shohim golat. 16 për Duvan Zapatën në kampionat, i cili sot do të mundohet t’i shënojë Milanit golin e tretë në karrierë. Sa shumë realizime për 27-vjeçarin, i cili ka shënuar gjithashtu dy herë në Europë dhe tre në Kupën e Italisë.

Në shtator deklaronte se do të thyente rekordin e tij në Serinë A, që ishte 11 gola me fanellën e Sampdorias. Pati nga ata që qeshën. E sigurt që sot nuk qeshin më. Me polakun e Milanit nuk qeshi askush. Edhe ai shfaqet sot më një CV të mbushur me gola. Krahasimi – Zapata është 187 centimetra i gjatë dhe peshon 88 kilogramë. 183 centimetra për 78 kilogramë te Piontek. Dy lojtarë fizikë, që e përdorin forcën në mënyra të ndryshme e në dobi të golit. Kolumbiani ngjason me një fadromë që shkërmoq këdo që i del përpara, kurse polaku me një shpatë skerme. Duke parë festën e këtij të fundit pas çdo goli, emri “Pistolero” kuptohet që ka lidhje vetëm më mënyrën e festimit, pasi 23-vjeçari është një majë e hollë, që godet gjithmonë në shenjë. Dy prekje të topit, ndonjë driblim i “detyruar” janë një repertor i katandisur në minimumin e thjeshtësisë, por saktësia për të dy është vrastare.

Veçori – Në lojë janë dy sulmues të ndryshëm në pothuajse çdo aspekt. Zapata vrapon në çdo cep të fushës, krijon hapësira dhe ndihmon shokët. Në 16 metrat e fundit e përdor të gjithë forcën e tij, ashtu siç bën Piontek. Por polaku më shumë sesa te fusha, fokusohet te zona e rreptësisë. Përpara portës ka një sens orientimi të pashoq, di të driblojë me trup mbulimet një për një dhe godet sapo ka mundësinë. 15 gola të Piontek dhe thuajse të gjithë me të djathtën. Në fakt 13 me këmbën e “mirë”, një me kokë dhe një me të majtën. Në këtë aspekt Zapata është disi më i përgjithshëm. Katër gola me kokë në sezon dhe tre më të majtën, teksa e djathta është edhe arma e tij e preferuar, më të cilën kolumbiani ka realizuar më shumë se gjysmën e golave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here