Rikuperohet Duglas Kosta, por mbrojtja e Juves në alarm. Alegri me dilema të mëdha ndaj Atletikos

Për ta parë gotën gjysmëbosh: Matia De Shiljo dhe Andrea Barzalji nuk do të jenë në ndeshjen e së martës kundër Atletikos së Madridit.

E premtja ishte një ditë e zezë për ta. De Shiljo u ndal për një problem muskulor në këmbën e djathtë dhe nuk u grumbullua as për Juventus-Udineze, ndërsa Barzalji luajti nga minuta e parë dhe u largua pas 25 minutash, duke u zëvendësuar nga Bonuçi. Situata e tyre do të analizohet në fillimin e javës, por prezenca në ndeshjen më vendimtare të sezonit përjashtohet. Një goditje e rëndë për Alegrin, i cili për Atletikon nuk do të ketë të gatshëm as Aleks Sandron (i skualifikuar) dhe Khedirën e Kuadradon të dëmtuar.

DUGLAS, GATI- Gota gjysmëplot: Duglas Kosta është stërvitur me skuadrën. Madje më mirë se kaq, me lojtarët që nuk luajtën ndaj Udinezes dhe punuan me ritëm të plotë me ushtrime nga më të ndryshmet përpara ndeshjes së Champions-it. Kjo do të thotë se Duglas është gati të luajë, ashtu siç Alegri ka lënë të kuptohet në ditët e kaluara. DC11 nuk luan një ndeshje që nga 2 shkurti, por taktikisht do të jetë shumë i rëndësishëm.

Shpejtësia e tij, aftësia për të dribluar kundërshtarin dhe për të sulmuar mbrojtësit e krahëve (që është pika e dobët e Aletikos) do të jenë armë të forta për Alegrin. Mbetet për t’u parë nëse do të aktivizohet nga minuta e parë apo gjatë ndeshjes. Kaseres mund të ketë një vend të sigurt, ose Alegri do të guxojë me dy mbrojtës krahu që pëlqejnë shumë të sulmojnë. Pikëpyetja e madhe lidhet me sulmin, ku Ronaldo është i paprekshëm. Bernardeski mund të luajë pas sulmuesit kryesor, por nuk dihet nëse Dibala dhe Manxukiç do të jenë të dy nga fillimi, apo rivalizojnë njëritjetrin për një fanellë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here