Kokëdhembje për Panuccin: Kombëtarja humbet një tjetër lojtar kyç para përballjes me Turqinë

Në seancën stërvitore të paradites së kësaj të mërkure ka shfaqur probleme sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadiku.

Futbollisti i saporikthyer pas një dëmtimi të gjatë dhe që i ka munguar aq shumë Shqipërisë në vitin e kaluar – si në takimet miqësore e sidomos në Ligën e Kombeve – pasi ka kryer ritualin e nxehjes dhe disa vrapime rreth fushës u tërhoq nga pjesa tjetër e stërvitjes për shkak të një problemi muskulor, transmeton SuperSport.

Shkalla e lëndimit të Sadikut mbetet ende për t’u mësuar, por problemet fizike të tij përbëjnë një dhimbje të vërtetë koke për Christian Panuccin, duke qenë se edhe qendërsulmuesi tjetër i Kombëtares, Bekim Balaj, vuan disa probleme fizike dhe nuk është në formën optimale.

Shqipëria rrezikon të mos ketë asnjë nga qendërsulmuesit për ndeshjen e parë të eliminatoreve të ‘Euro 2020’ ndaj Turqisë, duke qenë se dhe Rey Manaj nuk mundi t’i përgjigjej thirrjes së trajnerit, pasi nuk u lejua nga klubi i tij Albacete.

Ndërkohë, edhe Ylber Ramadani, i thërritur nga trajneri pas dëmtimeve të Andi Lilës dhe Egzon Binakut, nuk ka mundur të zhvillojë seancën stërvitore të kësaj të marte, pasi vuan një lëndim në pulpë.

Seanca e tretë stërvitore e Shqipërisë në grumbullimin për dy sfidat e radhës ka zgjatur për rreth 70 minuta, me Panuccin që ka zgjedhur një seancë të mbyllur, pa praninë e kamerave. Gjithsesi, italiani paradite ka zhvilluar vetëm disa lojëra brenda grupit, pa reflektuar në fushë një ide mbi taktikën që do të zgjedhë për ndeshjen kundër Turqisë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here