“Kanë fituar Champions-in këtu në sekondat finale”, Valverde: Kujdes fundin! I trembemi shpirtit të United

Ernesto Valverde këmbëngul se Barcelona nuk do të ketë probleme psikologjike me dështimet e sezoneve të fundit në Champions kur të presë sot Junajtid. Që kur katalanasit fituan trofeun në vitin 2015, ata nuk kanë shkuar përtej çerekfinaleve, ku u eliminuan nga Roma sezonin e shkuar, pavarësisht avantazhit të thellë me të cilin vinin në ndeshjen e kthimit.

Sot ndaj anglezëve duhet të mbrojnë avantazhin 1-0 që siguruan në “Old Trafford”. “Nuk kemi frikë, i trembemi vetëm shpirtit të tyre”, tha trajneri i Barcelonës në konferencë. “Jemi gati për t’u kualifikuar dhe të vetëdijshëm se do përballemi me një skuadër të shkëlqyer. Jemi të dyja skuadra të mira dhe do përpiqemi të kualifikohemi në gjysmëfinale. Mendoj se eksperienca e humbjes me Romën shërben diçka.

E dimë të gjithë që do jetë një ndeshje e vështirë. Edhe Junajtid mund të kualifikohet, por ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur që ata të eliminohen për shkakun tonë”. Ndërsa Barça ishte në anën e gabuar në përmbysjen kundër Romës, “djajtë” prodhuan një “remuntada” historike kundër PSG-së në raundin e 1/8-ave: “E dimë se çfarë kanë bërë në Champions këtë vit. Kanë fituar 3 nga 4 ndeshjet e tyre jashtë dhe disa kanë ardhur në minutat e fundit.

Duhet të bëjmë kujdes për këtë. Pres që ata të përdorin të gjithë arsenalin e lojtarëve sulmues”. Shumë presin që Barcelona do të mendojë të mbrojë rezultatin 1-0 në “Camp Nou”, por Valverde thotë: “Ne do përpiqemi të mos pësojmë dhe provojmë gjithashtu të shënojmë. Prioriteti ynë është të shënojmë, jo të hyjmë në fushë duke menduar të mbrojmë avantazhin. Kjo është absurde”. Mesi pësoi një hematomë në hundë pas përplasjes me Smolling një javë më parë në “Old Trafford” dhe trajneri konfirmon se kapiteni do të rikthehet sot pas pushimit ndaj Hueskës në kampionat.

“Është në gjendje perfekte pas përplasjes. Është e vërtetë që pësoi një tronditje në takimin e parë, por është 100% gati për këtë sfidë”. Dyshime ka nëse Dembele mund të jetë titullar, pasi sapo është rikthyer nga një dëmtim muskulor dhe Valverde i konfirmon ato: “Mund të jetë titullar, mund të mos jetë.

Ai luajti një orë ndaj Hueskës, aq sa ishte planifikuar. Ideja është që ai të ishte në dispozicion. Ata që do të startojnë, do të jenë të rëndësishëm, ashtu siç do të jenë edhe ata që do të hyjnë nga stoli. Junajtid ka diçka speciale në minutat e fundit. Në fakt, ata fituan Champions-in këtu në dy minutat e fundit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here