Arsenali mposhtet nga Wolves, komplikohet gara për Ligën e Kampionëve

Kriza e rikthyer te Arsenal që në fundjavën e kaluar pas humbjes ndaj Crystal Palace, është rikonfirmuar edhe mbrëmjen e të martës, kur “Topçinjtë” regjistruan disfatën e dytë radhazi, pasi u mundën në transfertë nga Wolves me rezultatin e thellë 3-1.

Kjo ishte humbja e parë që Arsenal pësonte ndaj Wolves që nga viti i largët 1979, ndërkohë që nga ana tjetër, “Ujqërit” për të parën herë në historinë e tyre në Premier League shkonin në dhomat e zhveshjes me një avantazh prej 3 golash që pas përfundimit të pjesës së parë.

Pas javës së 35, Arsenal mban vendin e pestë në kuotën e 66 pikëve, duke mos përfituar dot nga ndalesa e Chelseas, për t’i rrëmbyer vendin e katërt që përkthehet në një biletë për në Champions League.

Në kampin tjetër Wolves, në vendin e 7-të në kuotën e 51 pikëve ka hipotekuar një fitore me vlera morale, por asgjë më shumë, pasi distanca prej 13 pikësh nga Manchester United e bën një mision të pamundur Europën.

Vendasit kanë kaluar në avantazh që në minutën e 28’ me anë të Neves që ka befasuar me një gol të realizuar nga goditja e dënimit. Doherty ka dyfishuar në të 37’ me një finalizim në limitet e rregullshmërisë.

Një gafë në mesfushën e “Topçinjve” ka ndihmuar Jota-n të trefishojë epërsinë e Wolves në minutën e dytë shtesë para përfundimit të pjesës së parë. Arsenal nuk ka mundur dot të bëjë më shumë se ngushtimi i shifrave në 3-1 në të 80’ falë golit të Sokratis, pas një shërbimi perfekt të Xhakës nga goditja e këndit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here