Mercedes nuk ka të ndalur, Bottas triumfon në Baku, Hamilton dhe Vettel në podium

Valtteri Bottas me Mercedes triumfoi sot në garën e Cmimit të Madh të Azerbajxhanit në Formula 1, duke korrur suksesin e dytë sezonal.

Piloti finlandez la pas shokun e tij të skuadërs Lewis Hamilton, ndërkohë që makina Mercedes regjistron suksesin e katërt të dyfishtë radhazi këtë Botëror. Makina Mercedes vijon të dominojë në Botëror, duke vënë në resht rivalët. Në vendin e tretë u rendit Sebastian Vettel me Ferrari.

 

Gara nuk ka surpriza në start, por fakti që Leclerc me Ferrari nisej nga vendi i tetë dhe me goma të mesme (të parët ishin me goma të buta) bëri që shpejt renditja të përmbyset. Piloti i “kokëkuqes” merr kreun pas 15 xhirosh dhe e mban atë deri në momentin që gomat e tij konsumohen dhe hyn në bokse për t’i ndërruar ato (xhiro 35). Por kjo strategji nuk i jep atë që rezultat që ai shpresonte.

Nga ky moment, në krye të renditjes rikthehet Bottas (dje siguroi “pole”), që ndiqet nga Hamilton, Vettel e Verstappen (në 4 vendet e para nuk ka ndryshime nga fillimi i garës ). Parakalimet në pistë mungojnë dhe Leclerc nuk ka forcën të rivalizojë edhe pse ka goma të të freskëta, duke u renditur  pesti në garën e zhvilluar në pistën e Baku. Deri në fund renditja nuk ndryshon, me Bottas që mbron kreun nga sulmet e Hamilton.

 

Pas këtij triumfi në pistën e Baku, piloti finlandez Valtteri Bottas ngjitet në krye të renditjes provizore në Formula 1, me 87 pikë, një më shumë se Hamilton (86). Ndërsa Vettel ndodhet i treti, me 52 pikë, një më shumë se Verstappen. Vetëm i pesti Leclerc, me 46 pikë, që sot realizoi xhiron më të shpejtë dhe u shpall “piloti më i mirë i garës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here