Marquez triumfon edhe në Le Mans para dy Ducati-ve

Marc Marquez me Honda fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Francës në Moto GP, duke prerë i pari vijën e finishit në pistën e La Mansh.

Ky është suksesi i tretë sezonal për pilotin spanjoll, kampionin e botës në fuqi, që kryeson i shkëputur edhe renditjen e botërorit (+8 pikë nga rivalët).

Një garë e dominuar dhe fituar me meritë nga Marquez, që e nisi atë nga “pole” dhe e ruajti kreun deri në fund. Në vendin e dytë dhe të tretë u klasifikuan dy pilotët italianë të Ducati, me Andrea Dovizioso që u rendit para shokut të tij të skuadrës Danilo Petrucci.

Kjo garë pati rivalitet vetëm në 5-6 xhirot e para, me Jack Miller që tentoi ta parakalojë Marquez, por me kalimin e kohës rivaliteti u venit. Në mesin e dytë të garës Marquez u shkëput deri në 4 sekonda nga ndjekësit, duke menaxhuar avantazhin dhe konsumin e gomave.

Një garë lineare për legjendën Valentino Rossi, që e nisi atë nga vendi i pestë dhe e mbylli atë po në këtë vend. Para tij u rendit motori Ducati Pramac i australianit Jack Miller. Vijon të zhgënjejë Jorge Lorenzo me motorin tjetër Honda, i 11-ti, shumë larg Marquez, ndërsa Alex Rins me Suzuki u klasifikua në vendin e 10-të. Mavrick Vinales, shoku i skuadrës i Rossit, u tërhoq nga gara.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here