Nga Ceballos te Kovaçiç, ja për kë foli Maldini me Perez

Megjithëse i përket dy ditëve më parë, takimi mes drejtuesve të Milanit dhe atyre madrilenë pasurohet me detaje dhe risi. Emra të shumtë u përmendën, por vetëm katër syresh u diskutuan si mundësi konkrete për të veshur fanellën kuqezi në sezonin e ardhshëm.

DANI SEBAJOS – Prej dy vitesh te Reali, por ende nuk ka arritur të konfirmohet si një pikë stabël në formacion. Nuk është zgjedhje e parë në Madrid, por te Spanja U-21 është “fari” që ndriçon skuadrën. Paraqitjet në Europianin e moshës përkatëse e kanë kthyer në një “mall” të çmuar për merkaton, e megjithatë askush nuk ka trokitur në derën e Florentino Perez për shërbimet e 22-vjeçarit. Kushton të paktën 40 milionë euro, teksa rroga i vërtitet te 4 milionë eurot. Shifra të vështira për Milanin, që në takimin me Perez mësohet të ketë kërkuar huazimin e djaloshit të rritur te Betisi i Sevijës. Pas vendimit të UEFA-s, kuqezinjtë do të bëjnë një tjetër orvatje për të thelluar bisedimet dhe qartësuar detajet e një akordi të mundshëm.

TEO HERNANDEZ – Maldini e cilëson si njeriun e duhur për anën e majtë të mbrojtjes. Drejtuesi i “Djallit” e njeh mirë atë sektor dhe beson se francezi mund të japë një tjetër impuls në një korsi ku sezonin e kaluar Rikardo Rodrigez nuk është se shkëlqeu. Sa i përket 21-vjeçarit, Reali beson në cilësitë e tij, ndaj përballë një mundësie huazimi, Florentino Perez ka qëndruar i ftohtë, pasi dëshiron vetëm të arkëtojë për të kompensuar shpenzimet e bëra deri më tani në merkato.

BORHA MAJORAL – Tri huazime në sezonet e fundit (2 Volfsburg dhe 1 Eibar). Sulmuesi është përgjigjur me gola, por jo mjaftueshëm për ta ngulur njëherë e mirë në organikën e Realit. Në takimin e Madridit, Maldini ka kërkuar informacione pasi e sheh si pasues të Patrik Kutrones, në rast largimi të këtij të fundit. Presidenti pranon ta huazojë, por kërkon detyrimin e blerjes nga ana e kuqezinjve, një detaj aspak për t’u nënvlerësuar, duke qenë se 22-vjeçari vlerësohet 10-15 milionë euro.

MATEO KOVAÇIÇ – Kroati është lojtari që ka më shumë mundësi të afrohet te Milani. Boban vijon ta “markojë” nga afër duke i ofruar 4 milionë euro në sezon. Mesfushori, pas përvojës si i huazuar te Çelsi, kërkon një destinacion përfundimtar për t’i dhënë një impuls karrierës së tij të mbushur me premtime të pambajtura. Në gjurmët e tij është vënë edhe Interi, por zikaltrit do ta tentonin rikthimin e 25-vjeçarit vetëm nëse nuk arrijnë të rrëmbejnë Nikolo Barelan nga Kaljari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here