Ceballos i thotë “po” Milanit, PSG-ja i prish festën kuqezinjve

Nuk ka dy pa tre. Pas Kruniç dhe Hernandez, Milani i hap dyert edhe Dani Sebajosit. I ndjekur prej javësh nga drejtori Paolo Maldini, spanjolli, me sa duket, është bindur për të zbarkuar në Serinë A. Pak ditë më parë, ai deklaronte se ndihej në formën më të mirë për një sezon fantastik dhe se do të kërkonte formacionin te Reali.

 

Pasi nuk ka marrë garanci teknike, 21- vjeçari është pajtuar me planin e hartuar nga Reali dhe “Djalli”. Mesfushori është aq pranë kuqezinjve, saqë mund të zbarkojë në Milano brenda kësaj jave. Mes dy klubeve thuhet se është arritur një marrëveshje, e cila parashikon huazimin dyvjeçar të Sebajosit për tetë milionë euro. Në përfundim të këtij afati, Milani do të ketë mundësinë e blerjes përfundimtare të kartonit për një shumë rreth 32-35 milionë eurosh. Në këtë operacion madrilenët ruajnë të drejtën e riblerjes së lojtarit për 50 milionë euro.

Lajmin e konfirmojnë mediat spanjolle, të cilat deklarojnë se akordi është vetëm çështje detajesh pasi lojtari dhe klubet kanë rënë dakord për gjithçka. I vlerësuar 40 milionë euro, ky lojtar i rritur në ekipet zinxhir të Betisit të Sevijës ishte nën shënjestrën e Arsenalit, por kuqezinjtë, me sa duket, u treguan më të shpejtë, duke qenë se pasi u njohën me refuzimin e Torreiras, tentuan të siguronin sa më shpejt shërbimet e Sebajosit, që përveçse ul moshën mesatare të mesfushës së Milanit, i shton edhe shumë cilësi asaj.

paketa

PAKETA

Për një lojtar të afruar ekziston mundësia që dikush tjetër të largohet. Ai mund të jetë Lukas Paketa, i cili mund të ndërrojë klub vetëm 7 muaj pas zbarkimit në Milano. Leonardo mësohet se e kërkon mesfushorin në Paris dhe në ditët e ardhshme mund t’i bëjë një ofertë “Djallit”. Drejtori i PSG-së ishte ai që e solli 21-vjeçarin te kuqezinjtë dhe mund të jetë po ai që do ta largojë nga italianët. “Elliott” shpenzoi 35 milionë euro për ta rrëmbyer nga Flamengo dhe e njëjta shumë (mbase edhe më tepër) mund t’u duhet francezëve për ta blerë. Plani i Xhampaolos për të përdorur Suson në rolin e fantazistit me Çalhanoglunë si alternativë mund të lehtësojë, të paktën në aspektin teknik ,shitjen e Paketas, i cili në “Parc des Princes” do të marrë vendin e Rabiosë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here