“Çmendet” Juventusi në merkato, tani e ka radhën Isco

Nuk është vetëm Matijs De Ligti në radarët e Juventusit, por mund të hapen negociatat edhe për një tjetër fenomen. Sipas asaj që ka ofruar e përditshmja katalanase “Mundo Deportivo”, bardhezinjtë janë gati që të bëjnë një tjetër çmenduri në merkaton e kësaj vere, duke planifikuar edhe blerjen e mundshme të Iskos.

Për momentin, burimet e kësaj gazete nënvizojnë se drejtori Fabio Paratiçi e ka hartuar vetëm në letër planin për të arritur te fantazisti i Realit të Madridit dhe nuk do të kërkojë të nxitohet, duke parë edhe hapësirën që ai do të ketë në turneun veror gjatë kësaj faze përgatitore. Ky sulm do të nisë menjëherë sapo të formalizohet zyrtarizimi i mbrojtësit 19-vjeçar të Ajaksit, në mënyrë që edhe Paratiçi të ketë kohën e duhur në dispozicion për të vlerësuar dhe analizuar të gjitha detajet e mundshme të akordit.

PSE ËSHTË E MUNDUR – Fakti që trajneri Zinedin Zidan, me afrimin e një fantazisti si Eden Hazard, ka dashur të rinovojë dhe të blindojë mesfushën, është një sinjal i qartë se ndoshta për Iskon nuk do të ketë shumë hapësirë në skuadër. Fundja, Toni Kros dhe Luka Modriç janë lojtarë të pazëvendësueshëm, por pa harruar se ndoshta njëri prej tyre mund të lirojë vendin mbi afrimin e mundshëm të Pol Pogbasë nga Mançester Junajtid.

iskop

Dhe të gjitha këta skenarë bëjnë të mendosh se edhe vetë Isko nuk do të pranojë kurrsesi që të jetë një rezervë luksi, duke parë edhe aktivizimin me pikatore një sezon më parë. Për këtë arsye, largimi dhe pse jo te Juventusi, do t’i lejonte atij që të qëndronte në të njëjtat nivele të larta, për të cilat luftonte edhe te Reali i Madridit. Disa javë më parë, nga Madridi kishin ardhur sinjale të qarta se edhe presidenti Florentino Perez nuk kërkonte të rrezikonte më me Iskon, duke e mbajtur vetëm në stol, ndaj e kishte nxjerrë në shitje për një shumë prej 60 milionë eurosh, edhe pse “Mundo Deportivo” flet për një kërkesë që së fundmi është rritur në 80 milionë. Gjithsesi, fakt është që Juventusi ka tri vite që e tenton blerjen e Iskos dhe ndoshta sivjet mund të jetë vera e duhur që kjo bashkëjetesë të nisë të bëhet reale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here