De Laurentiis zbulon prapaskenat e negociatave me Icardin

Mauro Icardi ishte ëndrra, por Fernando Llorente u ble si lojtar i lirë në fund të merkatos. Napoli gjeti ngushëllim te spanjolli për shkak të vështirësisë për ta bindur argjentinasin, i cili fluturoi drejt Parisit ditën e fundit të transferimeve të kësaj vere.

Aurelio De Laurentiis shpjegoi se si ish-sulmuesi i Juventusit dhe Tottenham u kërkua personalisht nga Carlo Ancelotti. Këto janë fjalët e tij, të raportuara nga “Il Corriere dello Sport”: “Llorente nuk është ideja ime, por e Ancelottit. Askush nuk do ta shante një lojtar të nivelit të lartë si Icardi, por që nga momenti i parë, Ancelotti zgjodhi Llorente. Trajneri pretendoi se ishim të plotësuar në sulm dhe se kishim nevojë për një kampion, që të luajë në 30 minutat e fundit të ndeshjeve”.

Icardi zgjodhi të shkojë në Paris, duke lënë me “gisht në gojë” Napolin. Presidenti De Laurentiis zbulon prapaskenat e një operacioni, që nuk e finalizoi dot me sukses: “Për ta blerë atë, i ofrova Interit 60 milionë euro, plus shpërblime të tjera. Pra, një total prej 65 milionë euro. Wanda Nara-s i propozova një pagë bruto rreth 12 milionë euro për burrin e saj. Icardi nuk është budalla, ai shkoi në një ekip si PSG, ku mund të fitojë më lehtë se te Napoli. 

Për të ristatuar në Europë ishte zgjidhja më e mirë për të, unë kurrë nuk pendohem. Ardhja e Icardit do të kishte penguar blerjen e Llorente, për të cilin jam super i bindur, ashtu si Ancelotti. Mbi të gjitha, Icardi do t’i kishte bërë hije Milik, do t’ia prishte humorin atij. Personalisht, vazhdoj ta konsideroj atë yllin e vërtetë të madh të sulmit të Napolit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here