“Nuk kam parë tjetër si ai”, Messi injoron Cristianon

Lionel Mesi “injoron” Kristiano Ronaldon dhe zgjedh Ronaldo brazilianin si sulmuesin më të mirë që ka parë duke luajtur. Në një intervistë të dhënë për “TycSports”, kapiteni i Barcelonës krahason futbollin në Argjentinë me atë në Europë. Ai tregon raportet e shkëlqyera që ka me Agueron dhe Ronaldinjon, por tregon se nuk i pëlqen kur e zëvendësojnë.

Rivaliteti – “Ndeshjet River Plejt-Boka ose klasikja e Rosarios janë pak a shumë si Barcelona-Real Madrid, por në Argjentinë njerëzit janë më të çmendur sesa në Spanjë. Të mos e fitosh ‘El Clasico’-n do të thotë shumë. Në Spanjë nuk ndodh asgjë, nëse humbet një ndeshje, ndërsa në Argjentinë nuk mund të dalësh nga shtëpia dhe kjo është çmenduri. Realisht është kështu. Çmenduria e së përditshmes po futet edhe në futboll. Kur luajmë me kombëtaren e Argjentinës, tifozët na vijnë në hotel dhe na lënë pa gjumë”.

Si luan – “Nuk jam një lojtar tipik goleador. Më pëlqen që të luaj më i tërhequr dhe të vij nga mbrapa për të shënuar. Sigurisht që më pëlqen edhe të shënoj, por nëse qëndroj shumë kohë pa prekur topin, tërbohem. Dal nga ndeshja dhe dua që të jem gjithmonë i përfshirë”.

Ëndrra – “Të mbaja veshur fanellën e Argjentinës ishte një ëndërr e madhe për mua. Kam punuar shumë për të luajtur në kombëtare. Kam jetuar disa momente të vështira brenda saj. Disa prej tyre nuk ishin të drejta, por i kam kuptuar gjithmonë dhe kam dashur të përmirësohem”.

Finalet – “Arritëm në finalen e Botërorit dhe të Kupës së Amerikës. Nuk është pak, por jo gjithmonë do të fitojmë. U përpoqëm t’i bënim të lumtur njerëzit që luajnë në kombëtare, por humbëm dhe gjithçka u kthye në dhimbje”.

VAR – “Më pëlqen, por kur përdoret mirë. Erdhi për të shuar dyshimet, por ende nuk e ka bërë”. Aguero – “E njoh që kur isha 17 vjeç dhe kemi një raport të shkëlqyer me njëritjetrin. Kam thuajse të njëjtin raport si me Luis Suarezin, të cilin e njoh prej 5 vitesh dhe jetojmë përditë bashkë. Edhe me Agueron kam një miqësi shumë të fortë dhe flas shpesh me të”.

Fenomeni – “Ronaldo ishte një fenomen. Nga sulmuesit që unë kam parë në futboll, ai ishte më i miri nga të gjithë. Ishte impresionues me topin”.

Zëvendësues – “Nuk më pëlqen shumë të më zëvendësojnë, prandaj më mirë ta nis ndeshjen nga stoli. Ndonjëherë dua që të aktivizohem për t’i zgjidhur ndeshjet, ndërsa herë të tjera nuk janë ndeshjet e mia”.

Ronaldinjo – “Ai më ka ndihmuar shumë. Unë u futa në skuadrën e Barcelonës kur isha 16-17 vjeç dhe të shihja të gjithë ata kampionë ishte e vështirë. Ronaldinjo më mbajti afër dhe më bëri të ndihesha komod. Sigurisht që edhe në fushë më ndihmoi. Më vjen keq që luajtëm pak me njëri-tjetrin”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here