Conte kërkon vetëm një sforco të fundit

Një klasifikim që, për ta thënë sipas Kontes, ka shkuar përtej çdo pritshmërie, e madje edhe përtej çdo precedenti, duke qenë se kurrë Interi në epokën e tri pikëve nuk kishte grumbulluar 31 pikë në 12 ndeshjet e para të kampionatit. Në brendësi të ritmit të zikaltërve qëndron gjithë energjia e trajnerit, i aftë të nxjerrë nga skuadra maksimumin në një moment jo të thjeshtë. Një “vlerësues”, siç e kemi cilësuar më parë. Dhe e ka konfirmuar. 

Pas humbjes në Dortmund dhe dëmtimeve të shumta në periudhën e fundit, përgjigjja me Veronën ishte ajo që nevojitej për të arritur pauzën me mendjen e lirë. Konte u ka lejuar lojtarëve tri ditë pushimi pas turit të forcës së 20 ditëve të fundit, në të cilat Interi ka zbritur në fushë për 7 herë: 5 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Ndalesa nevojitej për të rikuperuar energjitë dhe disa të dëmtuar. D’Ambrozio, Vesino, Sensi dhe Galjardini, përveç Politanos që do të ketë nevojë për më shumë kohë, do të jenë thelbësorë për të fituar dy ndeshjet e fundit në Champions dhe për të mbajtur ritmin e Juves në kampionat.

“KOMANDANT” – Ndërkohë, Konte mund të shijojë një skuadër që, javë pas jave, po asimilon gjithmonë e më shumë parimet e lojës së tij. Kur Brozoviçin e markojnë nga pranë, është De Vraj ai që ndërton nga prapavija, ndërsa në krahë janë shtuar alternativat (Lazaro dhe Biragi po rriten), ndërsa në mesfushë Barela kryen pa reshtur të dyja fazat dhe konsiderohet një element i pazëvendësueshëm.

 

Trajneri i kërkon 22-vjeçarit më shumë gola dhe magjia kundër Veronës mund ta ketë zhbllokuar. Mungesa ka në sulm, kur Sançez do të qëndrojë në bokse për shumë kohë dhe Politano po riaftësohet nga tërheqja në kavilje. Merkatoja e janarit duhet t’i sistemojë edhe këto mangësi në një organikë që, prej thuajse tre muajsh, po shtyn në maksimum edhe falë shtysës së “komandantit” Konte. Do të nevojiten të gjithë, edhe të rinjtë: Espozito i pari, së shpejti mund ta ketë radhën Pirola.

DISTANCË – Tani, me pauzën e dytë të sezonit, po bëhen edhe bilancet e para: Interi ka koleksionuar 31 pikë nga 36, me 10 fitore, 1 barazim dhe një humbje. Sfidat me Barcelonën dhe Borusian kanë shfaqur distancë me të tjerat e Europës, por një ndërhyrje e zgjuar në merkato mund t’i zgjidhë.

Konte kërkon lojtarë me eksperiencë në mesfushë dhe sulm: Vidal dhe Zhiru do të ishin alternativat perfekte, edhe pse, sipas burimeve të brendshme të klubit, nuk ka negociata të hapura, në veçanti me kilianin. “Suning” gjithmonë ka preferuar të rinjtë me perspektivë, por për të fituar duhet siguri në rolet kyçe, futbollistë që menaxhojnë me qetësi momentet më delikate.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here