Nga Suso te Kessie, drejt Milanit vërshojnë ofertat. Ja skuadrat e interesuara për futbollistët kuqezinj

Milani mund të shndërrohet në një prej supermarketeve më të frekuentuara të merkatos së janarit, duke qenë se shumë lojtarë të trajnerit Stefano Pioli janë vënë në shënjestër nga klube të ndryshme të Europës dhe sigurisht që, duke parë edhe nevojën e kuqezinjve për të mbushur arkat, të gjitha ofertat pritet të vlerësohen me kujdes.

Emrat në vitrinë janë ndër më të ndryshmit, nga liderët, si Frenk Kesi e Suso, deri te të pakënaqurit dhe të harruarit në pankinë, si Fabio Borini e Rikardo Rodrigez.

 

KESI – Nëse janarin dhe verën e kaluar për afrikanin u refuzuan mjaft oferta nga klube të ndryshme, duke qenë se Frenk Kesi ishte një titullar i padiskutueshëm, sivjet situata ka ndryshuar dhe në Milano janë gati që t’i vlerësojnë shifrat që vijnë për atë.

 

Sipas zërave që vijnë nga Anglia, Uest Hemi ka vendosur që të bëjë çdo tentativë për ta bërë të vetin futbollistin nga Bregu i Fildishtë, duke iu afruar edhe shifrës që pretendon të arkëtojë “Djalli”. “Çekiçët” e Premier Ligës janë gati t’u afrohen 30 milionë eurove, konkretisht 23 të tillë, plus 2 milionë të tjera bonuse, një ofertë tunduese kjo për Milanin dhe Kesi ndoshta do ta pranojë me kënaqësi, duke parë se sivjet po luan pak, por pa harruar se për mesfushorin mbeten ende në garë edhe anglezët e tjerë të Uolvesit dhe francezët e Monakos.

SUSO – Është jashtë ritmeve të tij dhe me tifozët është në një luftë të hapur, pasi numri 8 i Milanit nuk po jep atë që pritet. Në të njëjtën kohë, edhe drejtuesit kuqezinj nuk mund të vazhdojnë të rrezikojnë më që të presin Suson, pasi çmimi i tij mund të vijë në zbritje, pavarësisht klauzolës prej 40 milionësh, e vlefshme vetëm për një transferim jashtë Italisë.

 

Dhe në orët e fundit, media spanjolle flet për një rikthim në sulm të Monçit, drejtorit sportiv të Sevijes, i cili është gati të bëjë një ofertë afër 30 milionëve për Suson. Shuma në fjalë është zyrtare, por ndërkohë i takon Milanit dhe vetë anësorit ofensiv spanjoll të bëjnë vlerësimet e rastit.

BORINI E RODRIGEZ – Të tjera kërkesa në klub kanë ardhur edhe për Fabio Borinin dhe Rikardo Rodrigezin. Dy kuqezinjtë kanë përfunduar në shënjestrën e skuadrës së Uotfordit, e cila sivjet është në garë për mbijetesën dhe në janar kërkon të përforcohet me dy milanistët.

 

Si për mesfushorin-sulmues, ashtu sikurse për mbrojtësin e majtë, kërkesa është ajo e blerjes definitive, respektivisht prej 8 dhe 11 milionë eurosh, edhe pse Milani ndoshta pret diçka më shumë. Ndërkohë, kujtojmë se për Borinin është në garë edhe Xhenoa e Kristal Palas, ndërsa për zviceranin Rodrigez mbeten në garë edhe Napoli, por edhe gjermanët e Shalke 04.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here