Ronaldo në formatin “Real”, 1.2 gola për ndeshje në muajin e fundit

Kristiano Ronaldo ka shënuar 9 gola në 7 ndeshjet e fundit. E thënë ndryshe, portugezi po “lëviz” me një mesatare prej 1.2 golash për ndeshje në muajin e fundit, numra këta me të cilët e ka mësuar veten dhe tifozët, por mbi të gjitha rikthejnë në mendje atë Ronaldo të kohëve të arta të Realit të Madridit, të cilit i dhuroi tre Champions radhazi, përpara se të largohej. 

Dhe këtë formë apo këtë format “alla Real”, që të gjithë tifozët dhe vetë klubi i Juventusit po shijon tani, e konfirmon Pako Aguilar, gazetari spanjoll, një ndër komentatorët më të mëdhenj ndërkombëtarë dhe zëvendësdrejtori i të përditshmes katalanase “Mundo Deportivo”, i cili e ka ndjekur nga pranë gjithmonë CR7-ën, në 9 vitet e qëndrimit të tij në Madrid: “Kundër Kaljarit pashë edhe një herë atë mimikë në fytyrën e tij. Atë mimikë të kohëve më të mira, të qeshur dhe dinake. Me atë mimikë që tërhiqte jo vetëm Realin, por me të cilën ngrinte në qiell trofetë e Ligës së Kampioneve. Kundër Kaljarit ishte shpërthyes, gati, gjithmonë i gjallë në lojë, gjithmonë gati për të goditur pa mëshirë kundërshtarin. Tani është mirë, është e dukshme për të gjithë dhe numrat e tij e konfirmojnë”.

Ende pa u mbyllur faza e parë, Ronaldo numëron 15 gola, 13 në Serinë A dhe 2 në Champions, më shumë se në 2016-2017 (14 gola) dhe 2017-2018 (13 gola), në dy sezonet e fundit në të cilat ngriti dy Champions-at e fundit me Realin. Dhe Aguilar shton: “Dhe që ta dini: golat në Serinë A vlejnë dyfish më shumë sesa ata në Spanjë. Është shumë e vështirë të shënosh në Itali sesa në La Liga. Këtë ma ka konfirmuar gjithmonë miku im Maradona, por së fundmi edhe Ronaldo. Mekanizmat dhe taktikat italiane defensive ua bëjnë jetën ferr sulmuesve, prandaj këta numra aktualë të Ronaldos vlejnë shumë më shumë sesa ata të viteve më parë.

 

 

Dhe të imagjinosh se është edhe më i vjetër në moshë, por luan ende me furi në kampionatin më defensiv dhe të vështirë të botës, por sërish duke bërë diferencën, siç tregoi me Kaljarin. Dhe kjo do të thotë se Kristiano tashmë është në formën e tij maksimale dhe ajo do të vijë ende duke u përmirësuar në vazhdim, aq më tepër me rifillimin e Champions-it, turne me të cilin ai është shumë i afeksionuar dhe do të kërkojë ta sjellë edhe në Torino”, përfundoi zëvendësdrejtori i të përditshmes “Mundo Deportivo”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here