Para 6 muajve ishte në shitje: Dybala rilind me Sarrin, gati rinovimi me Juventusin

Rreth 6 muaj më parë drejtuesit e Juventusit u ulën në tavolinë me Paulo Dybalën dhe menaxherin e tij, për të diskutuar për një shitje të mundshme, sepse pas një sezoni me luhatje, Nedved e Paratici ishin të bindur të largonin yllin argjentinas.

Megjithatë koha kaloi shpejt dhe Paulo Dybala ka rilindur me Sarrin në pankinë, duke u shndërruar në një nga futbollistët me rendimentin më të lartë me fanellën bardhezi, ndaj tani drejtuesit e klubit do të ulen sërish me menaxherin e La Yoyas, por këtë herë për të folur për rinovimin.

Kontrata e Dybalës me Juven përfundon në verën e 2022-shit, ndërsa Paratici e Nedved janë gati t’i ofrojnë një zgjatje të bashkëpunimit deri në verën e 2025-ës, gjithmonë nëse do të arrijnë edhe akordin ekonomik, pasi argjentinasi pretendon një pagë prej 10 milionë eurosh.

Sipas mediave pranë klubit torinez, në ditët në vijim është planifikuar një takim i parë mes Paraticit dhe menaxherit të Dybalës, ku pritet të bëhen të ditura edhe pretendimet e palëve, para se të kalohet në veprime konkrete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here