Ishte penallti apo jo? -Ja çfarë thotë asosiacioni i gjyqtarëve

Polemikat për arbitrimin e ndeshjes Milan-Juventus 1-1, e luajtur të enjtën për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, nuk janë shuar ende.

Kuqezinjtë arritën deri në minutën e fundit të kohës së rregullt me avantazhin 1-0, derisa u akordua penalltia në favor të Cristiano Ronaldos, pas një topi të ndalur nga dora e Calabria, në përpjekje për të bllokuar roveshiatën e portugezit. Arbitri Valeri dha penalltinë, pasi shqyrtoi pamjet me VAR. Zgjedhje që shkaktoi shumë diskutime, veçanërisht pas interpretimit të fjalëve të dizenjatorit të arbitrave në Serie A, Nicola Rizzoli.

Ky i fundit e gjykoi vendimin për dhënien e penalltisë në Brescia-Cagliari, në javën e parë, të gabuar. Prekja me dorë e topit nga Cerri, në shikim të parë, është krejt e ngjashme me atë të Calabria. Në realitet, ky nuk është rasti, pasi, siç lexojmë në “Gazzetta dello Sport”, sipas ish-gjyqtarëve, leximi i Valerit është i saktë. Pra, situata është ndryshe për qëndrimin dhe sjelljen e lojtarit të Milanit, i cili në kërcim nga toka do të zgjeronte krahët dhe këmbët e tij për të bllokuar gjuajtjen që vinte nga pas, duke rritur hapësirën e trupit, në kundërshtim me atë që ndodh te Cerri, i cili kërcen lart për topin që i mungon, pa i hapur krahët.

Me pak fjalë, Calabria është në dijeni të goditjes së Ronaldos pas tij dhe përfundon duke e rritur “vëllimin” e trupit me krahun e çorganizuar, ndryshe nga Cerri, i cili në vend të kësaj, nuk ka asnjë perceptim të pranisë së kundërshtarit dhe kërcen pa mundur ta godasë topin. Dy dinamika të ndryshme. Sidoqoftë, në mjedisin milanez jo të gjithë e morën mirë atë penallti. Calhanoglu, për shembull, postoi në Instagram një referencë tjetër krahasuese: krahun e Alex Sandro në Juventus-Milan të vitit 2019, jo e sanksionuar me penallti, me një status ironik: No Comment!

Përkundër qëndrimit të AIA (Italian Referees Association), që çertifikon vendimmarrjen e Valerit, jemi të sigurt se do të ketë diskutime të tjera mbi një temë, që është akoma e paqartë për shumicën e njerëzve, shpeshherë temë e interpretimeve të ndryshme edhe për vetë arbitrat, që ushqejnë polemikën e zakonshme e të nxehtë…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here