Tifozi 10-vjeçar i United letër Klopit: Të lutem, mos fito më. Gjermani i kthen përgjigje

Tifozët e Liverpulit po bëhen gati për një festë të madhe përpara, ndërsa skuadra e tyre po marshon drejt titullit të parë kampion në 30 vite. Por një tifoz 10-vjeçar i Mançester Junajtid nuk është shumë i lumtur nga ky fakt. Darah Kërlej duke parë që rivalët nuk e kanë ndalur dot skuadrën e “Reds”-ave, ka provuar t’u japë ai një dorë rivalëve, duke i shkruar një letër trajnerit Jyrgen Klop dhe i kërkuar atij që të mos fitojë më.

“I dashur Jyrgen Klop. Unë quhem Darah. Jam 10 vjeç. Shkoj në shkollën Glensuilli N.S në Donegal. Bëj tifo për Mançester Junajtid dhe arsyeja që po të shkruaj është për t’u ankuar. Liverpuli po fiton shumë ndeshje. Nëse fitoni edhe 9 të tjera, atëherë do të bëheni skuadra me rekordin më të gjatë të pathyeshmërisë në futbollin anglez. Kjo është shumë e trishtë për një tifoz të Junajtid. Kështu që herën tjetër, të lutem bëje Liverpulin që të humbasë. Thjesht lejo ekipin tjetër të shënojë. Shpresoj të të kem bindur që të mos e fitosh kampionatin apo ndeshjet e tjera. Sinqerisht i juaji, Darah”.

SURPRIZA – Por ai mbeti i çuditur kur mori një përgjigje zyrtare nga Klop, i cili pavarësisht se e refuzonte me mirësjellje kërkesën e tij, i dha djaloshit disa këshilla: “Fatkeqësisht, në këtë rast unë nuk mund ta plotësoj kërkesën tuaj, jo me dëshirën time. Aq sa ju doni që Liverpuli të humbasë, është detyra ime që të bëj gjithçka mundem për ta ndihmuar Liverpulin të fitojë sepse ka miliona njerëz në botë që duan që kjo të ndodhë dhe unë nuk dua t’i zhgënjej ata”. Klop vijoi t’i shpjegonte se si dominimi në futboll nuk është i përhershëm dhe do vijë një ditë ndryshimi i ciklit. “Një gjë që mund ta them me siguri që nuk do të ndryshojë është pasioni yt për futbollin dhe klubin tënd. Junajtid është me fat që të ka ty. Edhe pse klubet tona janë rivale të mëdha, ne gjithashtu kemi shumë respekt për njëri-tjetrin. Për mua, për këtë është futbolli”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here