Ibra i vendos kushte Milanit

Në thuajse 8 vite distancë nga për voja e fundit si kuqezi, Zlatan Ibrahimoviç në aventurën e re te Milani po tregon se vesin e të qenit vendimtar nuk e ka harruar. Gjashtë ndeshje si titullar për suedezin dhe dy gola, duke përsëritur kështu statistikat e përvojës së parë milaniste. Në 2010-n, mes shtatorit e tetorit gjente vetëm në dy raste rrugën e rrjetës teksa i shënonte Lacios dhe Xhenoas. 

Asokohe, sulmuesi kishte përpara vetes një të ardhme të ndritur, teksa tashmë, me 38 vite mbi shpinë, nuk i ka ngelur shumë “jetë” futbollistike. Sidoqoftë, vitet e mbetura, Ibra duket se është gati t’i jetojë me fanellën kuqezi. Në 2012, Milani privohej me detyrim nga futbollisti për çështje bilanci, ndërsa sivjet, për të njëjtat çështje, do të mundohet të mbajë në ekip numrin 21. Shtatë milionë euro plus bonuse mendohet se do të jetë një propozim më se i mjaftueshëm për të lënë në tavolinën e Mino Raiolës, me Ibrahimoviçin që duket gati për të bërë liderin kuqezi për një sezon të plotë e më pas t’i kushtohet karrierës si drejtues.

 

KUSHTE – Më pak dinamik se në të shkuarën, por shumë më tepër autoritar, Ibra po reflekton. Në dy muajt e parë të aventurës italiane i kanë shërbyer për të kuptuar se çfarë mund të japë. Lider i padiskutueshëm, për Zlatanin nuk duket se mjaftojnë 7 milionë eurot si rrogë. Nuk kërkon më shumë në terma ekonomikë, por pretendon një ekip më të fortë rreth vetes. Kërkesë legjitime për dikë që synon të mbyllë karrierën në mënyrë sa më dinjitoze. Klubi është gati ta dëgjojë e këtu mund të hyjë në lojë edhe Raiola, që përveç se do të përdorej për të mbajtur kuqezi Xhixhon e Romanjolin, do të ndihmonte drejtuesit e “Djallit” për ndonjë afrim tjetër cilësor.

FAMILJA – Që prej zbarkimit të tij në Milano në fund të vitit të kaluar, Zlatan Ibrahimoviç jeton në hotel. Nëse vendos që të zgjasë akordin me klubin edhe për një vit, suedezit do t’i bashkohej edhe familja, e cila do të jetonte në një nga shtëpitë që 38-vjeçari zotëron në afërsi të sheshit “Duomo”. Për momentin, shumica e familjes Ibrahimoviç jeton në Suedi, por zgjedhja e re e karrierës së kryetarit mund të shtyjë pjesën tjetër t’i bashkohet në Itali, për atë që mund të jetë sezoni i fundit si profesionist i Ibrës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here