Milan mposhtet pas 8 muajve, Arsenal bën detyrën ndaj Molde

Për të gjetur humbjen e fundit të Milanit në të gjithë kompeticionet, duhet të kthehesh pas deri më 8 mars të këtij viti, pak para ndërprerjes së futbollit për shkak të pandemisë, ndërsa mbrëmjen e sotme kuqezinjtë ranë pas thuajse 8 muajsh, pasi u mposhtën nga francezët e Lille me rezultatin e pastër 0-3.

Vetë trajneri kishte pranuar para ndeshjes se sfida e sotme nuk ishte vendimtare për ecurinë europiane të kuqezinjve, që kishin fituar dy ndeshjet e para të grupit, megjithatë humbja nuk lë aspak shije të mirë.

Kjo pasi ndonëse kishte paralajmëruar ndryshime në formacion, Pioli kishte lënë në pankinë vetëm algjerianin Bennacer dhe turkun Calhanoglu, gjithsesi Ibra me shokë nuk ia dolën të shmangun humbjen, që “djeg” edhe për mënyrën sesi erdhi.

Sfida u zhbllokua në minutën e 22-të, kur mesfushori 23-vjeçar turk Yousuf Yazici fitoi një penallti pas një faulli naiv të kapitenit Romagnoli, dhe po vetë ekzekutoi saktë duke mposhtur Giggio Donnarummën.

Në pjesën e dytë ishte sërish mesfushori Yazici që shënoi dy gola brenda 3 minutash, fillimisht me një gjuajtje nga distance që la të shtangur Donnarummën dhe më pas me një aksion, ku e pa veten përballë gardianit të Milanit dhe shënoi me lehtësi.

Arsenali mori suksesin e tretë në po kaq ndeshje në grup dhe hodhi një hap shumë të rëndësishëm drejt kalimit në raundin tjetër. Në “Emirates Stadium” londinezët triumfuan me rezultatin 4-1 përballë norvegjezëve të Moldes, të cilët bënë gjithçka vetë deri në minutën e 60’.

Kjo pasi Ellingsen shënoi golin e avantazhit për norvegjezët në minutën e 22-të, ndërsa më pas erdhën dy autogola, fillimisht nga Haugen e më pas nga Sinyan, që sollën përmbysjen e rezultatit dhe në fund ishin Nicolas Pepe dhe Willock që vulosën suksesin.

Nuk gabon as skuadra tjetër angleze, Leicester, që mposhti me rezultatin e thellë 4-0 portugezët e Bragës. Me një pjesë të titullarëve në stol, ishte sulmuesi Nigerian Kelechi Iheanacho ai që mori për dore “dhelprat” pasi shënoi dy golat e parë, ndërsa më pas Praet e Maddison kompletuan goleadën.

Gjermanët e Hoffenhaim morën gjithashtu suksesin e tretë në po kaq ndeshje, pasi triumfuan me goleadë 5-0 ndaj çekëve të Slovan Liberec, në “PreZero Arena”. Dabbur shënoi dy golat e parë për gjermanët, ndërsa Grillitsch çoi topin në rrjetë për herë të tretë, para se Adamyan të kompletonte goleadën me dy gola të tjerë.

Komplikojnë gjithçka skocezët e Celtic, që u mposhtën në shtëpi me rezultatin e thellë 1-4 nga çekët e Spartës së Pragës. Julis shënoi tre herë për kryeqytetasit çekë, para se Krejci të vuloste suksesin, ndërsa skocezët e Celtic mbeten në vendin e fundit me vetëm një pikë në tre ndeshje.

Ndërkohë vlen të theksohet se sfida tjetër e mbrëmjes, ajo mes Villarealit dhe Maccabi Tel Aviv, startoi me 60 minuta vonesë, për shkak të reshjeve të shumta që kishin rënë dhe u prit të binte niveli i ujit në stadiumin “Estadio de la Ceramica”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here