Kosova dështoi të merrte një rezultat pozitiv ndaj Çekisë para dy ditësh, duke mos ia dalë të kualifikohet direkt nga eliminatoret për në Euro 2020.
“Dardanët” u mposhtën me rezultatin 2-1, një humbje e cila solli edhe zhgënjimin e të gjithë lojtarëve. Një nga ta ishte edhe Edon Zhegrova, i cili pas përfundimit të ndeshjes, e përjetoi shumë keq këtë humbje, duke shpërthyer në lot.
Megjithatë talenti kosovar, mori një surprizë shumë të bukur kur mbërriti në Prishtinë. Ditën e djeshme pasi përfundoi stërvitjen me ekipin kombëtar, Zhegrova mori një dhuratë të veçantë nga një tifoz.
Tifozi i cili duket se e ka pasur idhull talentin 20-vjeçar, i ka dhuruar lojtarit një bllok me foto të vetë futbollistit, me disa shkrime të ndryshe. Një dhuratë kjo që e emocionoi shumë Zhegrovën, i cili nuk nguroi që këtë ta shpërndajë edhe me ndjekësit e tij në “Instagram”.