Drejtuesi i skuadrës së Lommel, Harm van Veldhoven, ka shpjeguar vendimin për kalimin e klubit në pronësi të Manchester City-t.
Shitja e skuadrës së kategorisë së dytë të futbollit belg është lajmëruar javën e kaluar, teksa ata janë bërë klubi i nëntë që kalon në pronësi të City Football Group.
Van Veldhoven, i cili ka luajtur 200 ndeshje për Lommel, ka shpjeguar për AD:
“Pse Lommel? Vendi është interesant, Aeroporti i Eindhoven është shumë afër. Gjithashtu, futbolli belg është tërheqës për lojtarët jo europianë. Me buxhetin financiar të City Football Group, e ardhmja duket e shndritshme për Lommel”.
“City nuk erdhi këtu për të numëruar pemët në pyllin e bukur jeshil. Ideja është të luajmë për t’u ngjitur në kategorinë e parë në vitet e ardhshëm”, ka thënë Veldhoven.