Bëri xhiron e botës me refuzimin për t’u zëvendësuar, Kepa sqaron gjithçka

Kepa Arrizabalaga ka shpjeguar refuzimin e tij për të dalë nga fusha, kur trajneri Maurizio Sarri deshi ta zëvendësonte me portierin e dytë, në finalen e “Carabao Cup”, kundër Manchester City.

Kjo finale iu buzëqeshi të besuarve të Guardiolës, që triumfuan nga penalltitë.

Blerja e shtrenjtë e verës së kaluar u përfshi në një incident të habitshëm në fund të kohës shtesë, kur Willy Caballero ishte gati ta zëvendësonte spanjollin, me këtë të fundit që u duk se u lëndua. Sarri e përshkroi incidentin si një “keqkuptim” në konferencën e tij të shtypit, pas ndeshjes.

Kepa Arrizabalaga nuk vonoi për të siguruar tifozët se ka një marrëdhënie të mirë me trajnerin, duke sqaruar gjithçka: “Nuk e di se si u mor ai rast nga jashtë, nuk ishte imazhi më i mirë. Kam folur me trajnerin, mendoj se është keqkuptuar. Unë e kuptoj se në televizion dhe në rrjetet sociale po flasin fort për këtë gjë, por jam këtu për të shpjeguar gjithçka, për të thënë që nuk ishte qëllimi im për të dalë kundër trajnerit. 

Doja t’i thoja se jam mirë, ndërsa trajneri mendonte se isha lënduar. Ishin momente të tensionuara. Teksa po refuzoja të zëvendësohesha, kjo ishte një mënyrë për t’i treguar stafit teknik se isha mirë. Situata është keqkuptuar dhe më vjen vërtet keq, sepse tani njerëzit po flasin vetëm për këtë. Nuk e di, nuk e di çfarë them, përveçse të saktësoj se nuk ishte qëllimi im refuzimi i trajnerit. 

Duhet të dini se ishin minutat e fundit të një finaleje dhe nuk i kuptova reagimet. Vetëm kur pashë se donin të më zëvendësonin, u përpoqa të thoja se isha mirë. E di imazhin që është përftuar, por kurrë nuk kisha ndërmend të refuzoja zëvendësimin, por vetëm të bëja me dije se isha mirë e mund të vazhdoja lojën pa problem”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here