Nedjelkovic goditja e parë e Flamurtarit në merkato

Një sulmues për Flamurtarin. Është Igor Nedjelkovic goditja e parë e skuadrës vlonjate për merkaton e dimrit. 26-vjeçari i lindur në Beograd ka mbyllur gjithçka me kuqezinjtë, duke nënshkruar një kontratë për 18 muajt e ardhshëm, pra deri në fund të sezonit 2018-2019, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Nedjelkovic është 1.84 m i gjatë, rolin e tij të preferuar ka atë të sulmuesit të qendrës, por mund të luajë në të dy krahët e sulmit. Ai ka përfunduar aventurën e tij në Azinë e Largët, ku deri muajin e kaluar ishte pjesë e skuadrës së Hong Kong HK Pegasus. Me një eksperiencë disavjeçare në kampionatin serb dhe sidomos në atë maqedonas ka një mesatare të rëndësishme golash. Në Maqedoni në 91 ndeshje me Sileksin ka shënuar 27 gola. I aftë të luajë në të tre pozicionet e sulmit, duket se Nedjelkovic është pikërisht ai që i nevojitet Flamurtarit. Edhe pse skuadra ka një sulm me goxha potencial, golat kanë ardhur vetëm nga Tomislav Busic në kuotën e 6 finalizimeve, ndërkohë që Danilo Alves dhe Ardit Hoxhaj kanë shënuar vetëm nga një gol, ndërsa Camara asnjë. Këtë sezon, ndryshe nga vitet e mëparshme, nën drejtimin e trajnerit Duro skuadra ka një fizionomi të qartë loje dhe ecuri në rezultate. Pavarësisht se klubi nuk ka vendosur objektiva konkretë, Flamurtari ka dhënë prova se me ndërhyrjet e duhura mund të bëjë një kampionat të rëndësishëm, duke tentuar pjesëmarrjen në Europë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here