Barcelona gjunjëzon Realin!

Barcelona ka dalë triumfatore në El Clasicon ‘festive’, duke mposhtur Realin e Madridit me rezultatin 3-0. Një supersfidë u zhvillua në ‘Santiago Bernabeu’, ndërsa të 3 golat u shënuan në pjesën e dytë.

Reali i Madridit e filloi mjaft mirë takimin dhe krijoi 2-3 mundësi të mira, ku më flagrantja u shpërdorua nga Cristiano Ronaldo, që doli huq mbi pikën e penalltisë, pas pasimit të marrë nga Marcelo. Nga ana tjetër, katalanët luanin me kujdes dhe tentonin të kundërsulmojnë rrezikshëm, duke krijuar 2 mundësi të mira me mesfushorin brazilian Paulinho, që gjeti gatishmërinë e portierit Navas. Nga ana tjetër, edhe Ter Stegen realizoi një pritje mjaft të mirë ndaj Ronaldos, që tentoi rrezikshëm.

Pjesa e dytë pati të njëjtin start si e para, por këtë herë skuadra e Valverdes gjeti golin në kundërsulmin e parë të rrezikshëm, me Suarez që dërgoi në rrjetë një aksion të nisur nga Rakitiç. Reali u hodh në sulm për të gjetur golin e barazimit dhe Barcelona doli në një tjetër kundërsulm, ku Carvajal ndali me dorë një top që po i drejtohej rrjetës. Arbitri akordoi 11-metërsh për katalanët dhe karton të kuq për anësorin e Realit, ndërsa Messi ekzekutoi saktë penalltinë dhe shënoi golin e dytë.

Minutat e mbetura sollën edhe golin e 3-të për katalanët, të shënuar nga i sapofuturi Aleix Vidal, në minutën e fundit shtesë dhe Barcelona mori një tjetër 3-pikësh mjaft të rëndësishëm në rrugën drejt titullin kampion. Pas 17 javëve, skuadra e Valverdes ka 45 pikë, 14 më shumë se Reali i Madridit (Skuadra e Zidane ka luajtur një ndeshje më pak) dhe 9 më shumë se Atletico e vendit të dytë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here