Diferenca prej 13 pikësh që Manchester United ka në kampionat ndaj fqinjëve të City dhe paraqitjet e dobta të kohëve të fundit të skuadrës së “djajve të kuq” kanë ndërlikuar jo pak pozitat e trajnerit Jose Mourinho.
E përditshmja britanike “Mirror” bën me dije se eliminimi nga Caracao Cup, humbja në derbin e Manchesterit dhe zhgënjimet e fundit në Premier League kanë bërë që drejtuesit e United të mbajnë peng kontratën e re të trajnerit portugez. Ky i fundit ka kërkuar rinovimin e saj dhe një rrugë dy herë më të lartë se ajo ekzistuese, por tashmë situata nuk është më në favor të Mourinho, që rrezikon.
Gara për titullin kampion në Premier League duket e humbur për United, me City që marshon me një ritëm shumë më të lartë se rivalët. Trajneri portugez duket se nuk është më në gjendje të bëjë mrekullinë me skuadrën e tij, që mund të mos i rinovohet kontrata që skadon në fund të sezonit të ardhshëm (verën e vitit 2019). Trajneri 54-vjeçar kërkoi një muaj më parë që nga kontrata e re të përfitojë 12 milionë stërlina, por tashmë kjo kërkesë mund të konsiderohet e tepërt. Sezonin e kaluar, Mourinho dhe United triumfuan në Europa League, në Kupën e Ligës dhe Community Shield, por këtë sezon nuk kanë fituar ende asgjë.