Pësoi plot 230 goditje brenda një ndeshje, UFC i jep 6 muaj pushim!

Sportistja braziliane e arteve marciale mikse Priscila Cachoeira, e cila humbi duelin me Valentina Shevchenko në eventin e UFC Night Fight 125 zhvilluar ditën e diel në Belem të Brazilit, do të qëndrojë të paktën 6 muaj pushim absolut. Ka qenë ky vendimi që ka marrë komisioni mjekësor pranë UFC-së.

Pas disa analizave mjekësore të kryera sot paradite, sportistja braziliane ka pësuar një dëmtim të rëndë në menisk dhe ka këputje të shumta në ligamentet e gjurit të djathtë, pikërisht në këtë duel të saj të parë në UFC (8 fitore 1 humbje në UFC).

Në këtë sfidë ndaj Shevchenko ajo pësoi 230 goditje nga rivalja e saj, më eksperte në kafaz, ndërsa Cachoeira e goditi vetëm 3 herë sportisten peruane me origjinë ruse. Pas këtij dueli edhe presidenti i UFC-së, Dana White ka replikuar duke akuzuar gjyqtarin, që sipas numrit 1 të arteve marciale mikse duhej ta kishte ndalur më herët sfidën (u mbyll me submision në raundin e dytë).

Pritet që Priscila Cachoeira t’i nënshtrohet këtë fundjavë një ndërhyrje kirurgjikale, duke mos u rikthyer në kafaz më për këtë vit edhe pse është pezulluar 6 muaj nga çdo aktivitet sportiv nga UFC-ja. Një e ardhme e vështirë në kafaz e pret sportistin braziliane. UFC ka vendosur që 6 muaj pushim të detyrueshëm të ketë edhe Tim Johnson, fitues në këte event ndaj Marcelo Golm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here