EHF ndalon përballjet Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll (femrat) më 23 mars duhet të përballet me përfaqësuesen U-20 të Serbisë. Kjo ndeshje sipas planifikimeve do të luhet në Serbi. Por u luajt apo jo në territorin e Serbisë, kjo do të jetë ndeshja e fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë në hendboll.

Është Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit që ka vendosur të shmangë përballjet KosovëSerbi në nivel përfaqësuesesh. Federata e Hendbollit e Kosovës është njoftuar përmes një letre nga EHF-ja për këtë vendim.

“Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të EHF-së të mbajtur në Zagreb, është marrë vendimi që tash e tutje Kosova nuk mund të jetë në një grup me Serbinë. Vendimi i njëjtë vlen edhe për Maqedoninë me Greqinë”, ka thënë të premten Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Për shkak të raporteve mes dy shteteve, përballja e planifikuar për 23 mars ka krijuar telashe të shumta për EHF-në. Ndonëse kanë mbetur më pak se një muaj deri te ndeshja, nuk ka vendim të qartë se në cilin qytet do të luhet takimi, nëse do të lejohen simbolet shtetërore apo në çfarë kushtesh do të luhet kjo ndeshje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here