Laçi në përballje kundër Flamurtarit!

Ecuria me ulje ngritje të shumta për vitin kalendarik 2018 ka vendosur në vështirësi Laçin, që vijon të mbetet në kontakt me zonën europiane.

Në 7 ndeshjet që nga rifillimi i kampionatit është vetëm një fitore, ajo e arritur ndaj Vllaznisë ndërkohë që fatmirësisht për kurbinasit rivalët nuk kanë mundur dot të shkëputen.

Pikërisht për këtë arsye, për ecurinë jo të mirë por edhe për kalendarin e renditjen sfida ndaj Flamurtarit shihet si një finale e parakohshme. Bardhezinjtë shpresojnë t’i japin shkelmin përfundimtar krizës në rezultate për më tepër që ndaj kuqezinjve do të kenë grupin e plotë në dispozicion.

Rikthimi nga pezullimi i Regi Lushkjas dhe Ansi Nikës shton konkurencën por mbi të gjitha dhe opsionet në dispozicion të trajnerit Gentjan Mezani. Ndaj Flamurtarit këtë edicion Laçi ka arritur të marë 4 pikë, edhe pse duelet me vlonjatët janë shoqëruar gjithmonë me polemikat mbi gjykimin.

Sfida e javës së 24-t është një histori tjetër pasi paraqet mundësinë jo vetëm për të tentuar ndryshimin e situatës por edhe për të kapur në renditje një kundërshtar direkt që gjithashtu nuk po kalon një moment të mirë.

Krizën e rezultateve Laçi do të kërkojë ta lërë pas në një ndeshje direkte dhe pse jo t’ia pasojë atë një rivali të drejtëpërdrejtë që vjen nga dy humbje radhazi. Të shtunën për armatën bardhezi është një finale e parakohshme që vlen shumë edhe në objektivin sezonal, që është zona europiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here