Mario Balotelli i dërgon një mesazh trajnerit në emergjencë të Italisë Di Biagio, për dy ndeshjet miqësore me Argjentinën dhe Anglinë. Sulmuesi i Nices në kampionatin francez është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në ringritjen e të kaltërve pas eliminimit nga Suedia në play off-in e botërorit.
“Unë e dashuroj kombëtare dhe do të vija më vrap nëse më thërrasin. Dy trajnerët që nuk më kanë grumbulluar janë Conte, i cili ka patur të drejtë sepse nuk luaja, dhe Ventura, që ka patur arsyet e tij, por që unë nuk i kam kuptuar.”
27-vjeçarit i përfundon në verë kontrata me skuadrën franceze, por ende nga Seria A nuk janë shfaqur skuadra të gatshme për ta mirëpritur. Pyetjes se cili është sekreti i formës së tij, Balotelli iu përgjigj:
“Qetësia që kam gjetur në shtëpinë time përkrah një personi të veçantë. Vitet e fundit pata disa probleme fizike që tani i kam kaluar. Po tregoj formë të mirë sepse, e përsëris, kam gjetur qetësinë në shtëpi, ndërsa puna është e njëjtë.”