Zarco fenomenal, pole position dhe rekord në pistën e Katarit

Piloti francez Johann Zarco ka siguruar ”pole position” në pistën e Losail, të vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Katarit, e cila do të zhvillohet nesër pasdite në Katar (starti, nesër ora 17:00).

Zarco dha kohën 1’53”680, e realizuar në sekondat e fundit të testeve zyrtare, duke lënë pas kampionin e botës në fuqi Marc Marquez me Honda dhe Danilo Petrucci.

Gara për “pole” ishte mjaft e bukur dhe interesante, e hapur deri në momentin e fundit, pasi të gjithë pilotët dueluan për ta nisur garën nga vija e parë.  Italiani Andrea Dovizioso, që ishte i pari deri para se Zarco ta mposhte, u rendit në vendin e pestë me Ducati, ndërkohë që para tij u rendit britaniku Cal Crutchlow.

Pista e Losail sot ishte mjaft e papastër dhe kishte shumë erë, çka ndikoi shumë në paraqitjen e pilotëve, madje gjatë provave zyrtare pati edhe disa rrëzime, por pa pasoja. Ai që zhgënjeu në këtë test të parë sezonal ishte italiani Valentino Rossi me Yamaha, që do ta nisë garën e nesërme nga vendi i tetë, duke lënë pas spanjollin e Ducatit, Jorge Lorenzo (i nënti). Ndërsa Maverick Vinales me motorin tjetër Yamaha u klasifikua në vendin e 12-të, çka tregoi se motori japonez ka shumë probleme për të zgjidhur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here