Qëllohet me armë Mayweather!

Një truprojë e ish-boksierit amerikan, Floyd Mayweather, ka mbetur i plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj makinës së tij në qytetin e Atlantës.

Gregory La Rosa u qëllua në këmbë, por doli vetëm pas 3 orësh nga spitali, deklaroi policia në njoftimin zyrtar.

Mayweather besohet të ketë qenë në një tjetër automjet, ndaj dhe i ka shpëtuar pa probleme këtij incidenti.

Policia e Atlantës tha se incidenti nuk duket të ketë qenë rastësi, por mjeti i La Rosës ka qenë në shënjestër, edhe pse nuk dihet me saktësi arsyeja. Sipas të dhënave paraprake, agresori kishte pasur informacione mbi kalimin e autokolonës dhe se cilët ishin pjesë e saj.

Grupi i Mayweatherit u largua nga një restorant në orët e para të mëngjesit, pasi kishin qenë më parë edhe në një klub nate.

Zëdhënësi i policisë, Donald Hannah tha se nuk dihet nëse një incident i ndodhur më herët gjatë pasdites kishte qenë shkak i të shtënave me armë.

Mayweather, tashmë 41-vjeçar, është tërhequr nga boksi. Në gusht të vitit 2017, ai mposhti për herë të fundit sportistin e arteve marciale të përziera, Conor McGregor, duke e zgjeruar rekordin perfekt në karrierën e tij në 50 ndeshje pa u mposhtur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here