Julian Deda: Vllazni, o zemër!

Më vjen keq për Vllazninë, me plas më vjen. Skuadra e zemrës është në ditët e saj më të vështira, është në prag të katastrofës historike. E gjitha vjen jo për shkak të kualiteteve, të cilat Shkodra i ka me tonelata dhe shkëlqejnë kudo që luajnë, por për shkak të keqmenaxhimit, të indiferencës dhe mosbërjes asgjë për të ruajtur traditën.

Më falni, por, nëse nuk kujdeset për Vllazninë, për çfarë dreqin po kujdeset tjetër Bashkia e Shkodrës? Nëse nuk bën asgjë për Vllazninë, thjesht nuk ke bërë asgjë për asgjë dhe që tani mund ta quash pa frikë një mandat 100% të dështuar.

Eshtë i dyti vit radhazi, që Vllaznia lëngon. Vjet na ndihmoi Zoti, sivjet jemi përsëri në dorë të Tij. Pyetja ngrihet: A është e qëllimtë e gjitha kjo? Mendimet dhe ndjesitë nuk ia vërtetojmë dot askujt, por veprimet dhe mosveprimet janë të dukshme.

Vllaznisë nuk ia ulën kokën as lojtarët, as trajnerët, as tifozët, as 1997-ta, madje, as komunizmi, por sot, e shkreta, gjunjëzohet nga paaftësia.Vllazni, o zemër; shpresoj shumë që në këto ndeshje, që kanë ngelur, ti të gjesh forcë të tregosh se ajo bluzë peshon rëndë që prej 1919-tës dhe s’mund të hidhet si leckë nga të papërgjegjshmit.

Nuk shkohet drejt 100-vjetorit kokulur! Ai qytet ka një binom të pandarë, Teatrin dhe Vllazninë. Nëse njëra nuk është, Shkodra çalon. Zot hidhi sytë nga vendlindja ime, të lutem!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here