Lorenzo nuk ka të ndalur me Ducatin: Pole Position në Kataloni, Marquez dhe Dovi e ndjekin

Nuk ndalet Jorge Lorenzo, që pas fitores së parë në Mugello me motorin Ducati dy javë me parë, sot ka siguruar edhe pole position e parë me motorin italian, këtë herë në pistën e Montmelo, në Barcelonë (gara e Çmimit të Madh të Spanjës).

Piloti spanjoll dha kohën 1’38”680, duke qenë më i shpejti në pistë, ndërkohë që i dyti u rendit patrioti i tij Marc Marquez me Honda. Në vendin e tretë një tjetër pilot i Ducati, italiani Andrea Dovizioso, një vijë e parë e startit të garës së nesërme vërtet interesante, pasi të tri pilotët janë pretendentë të fortë për ta fituar garën dhe Botërorin.

Për Lorenzo ky është pole position i parë pas dy vitesh (që prej Valencia 2016), duke konfirmuar se po kalon një moment të mirë, duke hyrë edhe ai mes pretendentëve për titullin kampion.

Në vijën e dytë të nisjes do të jenë spanjolli Maverick Vinales, i ndjekur nga tri pilotë italianë: Andrea Iannone, Danilo Petrucci dhe Valentino Rossi. Ky i fundit vetëm i shtati në Montemlo, duke konfirmuar se motori Yamaha ka ende probleme. Gara nesër do të nisë në orën 14:00 dhe parashikohet spektakolare, pasi të gjithë pilotët më të mirë janë në krye dhe vetëm gjysmë sekondi larg njëri-tjetrit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here