Evra: Ronaldo një maniak i fizikut, më ftoi për drekë dhe më la pa ngrënë

Ditën që Kristiano Ronaldo e ftoi Patris Evranë për drekë në shtëpinë e tij pas stërvitjes, ky i fundit ishte i bindur se do të hante një vakt të bollshëm, mundësisht duke folur sa më pak që të ishte e mundur për futbollin.

Por, në fakt përfundoi me francezin jo vetëm të uritur, por edhe të detyruar që të ndiqte ritualin e shokut të palodhur të skuadrës (në atë kohë luanin të dy për Mançester Junajtid) në një sfidë me dy prekje, pas së cilës notuan në pishinë.

Me pak fjalë, pasditja e relaksit mbeti një ëndërr. “Nëse iu ndodh që të ftoheni nga Kristiano për drekë në shtëpinë e tij, ju këshilloj që ta refuzoni”, tha me shaka (por jo edhe aq) Evra gjatë një programi të televizionit britanik “ITV” dedikuar Botërorit, ku ai është një prej komentatorëve.

“Kur më ftoi, unë shkova dhe isha me të vërtetë i lodhur pas stërvitjes, por në tavolinë kishte vetëm një sallatë, gjoks pule dhe vetëm ujë. Nuk kishte pije. Nisëm të hamë dhe unë mendoja se ajo ishte vetëm antipasta dhe do të vinte edhe një biftek i mirë, por nuk kishte asgjë tjetër. Dhe pas drekës, ai u ngrit në këmbë dhe nisi të bëjë lojëra me topin dhe vazhdonte të këmbëngulte që të luanim me dy prekje”.

NJË MAKINERI – Por, ndryshe nga Ronaldo, i cili nuk pushon kurrë, ish-mbrojtësi dëshiron të relaksohet pas stërvitjes, kështu që pretekstet e shokut i dukeshin deri diku të paarsyeshme. “E pyetja, a mund të paktën të përfundoj së ngrëni?” dhe ai vazhdoi: ‘Jo, jo, do luajmë me dy prekje’. Pastaj donte që të notonte në pishinë dhe unë e ndoqa, por bëra hidromasazh dhe sauna dhe pastaj u largova. Prandaj i këshilloj kujtdo që t’i thotë jo Kristianos, nëse e fton në shtëpinë e tij, sepse ai djalë është një makinë që nuk pushon kurrë së stërvituri”.

Një përgatitje konstante kjo e CR7, e vlerësuar nga rezultatet, duke parë se ai është në kufijtë e një dekade në nivelin më të lartë fizik. Për t’ua konfirmuar, pyesni lojtarët e Spanjës. Dhe sikur të mos mjaftonte, ylli i Realit nuk pranon kurrë të humbasë, as në një ndeshje pingpongu. “Njëherë, Rio Ferdinand e mposhti në këtë sport, tregon Evra, – dhe Kristiano u nxeh aq shumë sa dërgoi kushëririn që t’i blinte një tavolinë ping-pongu dhe u stërvit pa ndërprerje për dy javë për ta sfiduar sërish Ferdinandin, dhe fitoi përpara të gjithëve. Ky është Kristiano Ronaldo dhe nuk më surprizon fakti që dëshiron të fitojë edhe një tjetër ‘Top të Artë’ apo Botërorin”.

GEORGINA SËRISH SHTATZËNË – Por, në pritje për të kuptuar se cila do të jetë e ardhmja profesionale e 33-vjeçarit, nga Spanja vjen lajmi (në pritje për t’u konfirmuar) se e fejuara e tij, Georgina Rodrigez, nënë e vogëlushes Alana Martina, lindur më 12 nëntor, është përsëri shtatzënë. Ajo që i hedh benzinë një lajmi të tillë është shfaqja e fundit e modeles në Ishujt Kanarie në një event mode me barkun e rrumbullakosur. Dhe portugezi duket se ka shënuar golin e radhës dhe arrin një tjetër objektiv: atë të pasjes së një familje të madhe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here