Kukësi nuk arrin të fitojë ndaj Valletës, kualifikimi vendoset në Maltë

Ashtu siç e pati paralajmëruar trajneri Peter Pacult, sfida me Vallettën nuk rezultoi aspak e lehtë për Kukësin, që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, 0-0 në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës.

Verilindorët bënë një pjesë të parë të mirë, ku krijuan disa mundësi shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës, fillimisht me Musollin që gjuajti jashtë dhe më pas ishte portieri mik, që grushtoi dy krosime të hidhura.

E njëjta tablo ishte edhe në pjesën e dytë, me Kukësin që kërkonte golin e avantazhit, por këtë herë miqtë maltezë kundërsulmuan rrezikshëm në 2-3 raste dhe i shkuan shumë pranë golit, por portieri Frashëri u tregua në lartësinë e detyrës.

Kapiteni Shameti pati një mundësi të artë për të shënuar në minutat shtesë të takimit, por topi i goditur prej tij me kokë, përfundoi jashtë kuadratit të portës së Vallettës, duke bërë që edhe 90-minutëshi i “Loro Boriçit” të mbyllej në barazim pa gola.

Ky rezultat lë të hapur mundësinë e kualifikimit për të dy skuadrat, ndërsa verdikti se cila skuadër do të vijojë më tej aventurën në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, do të jepet të martën e ardhshme në Maltë, kur do të luhet sfida e kthimit.

Vlen të përmendet se në shkallët e stadiumit Loro Boriçi të qytetit të Shkodrës, atmosfera ishte shumë e vakët, pasi tifozët kuksianë mesa duket kishin preferuar të ndiqnin gjysmëfinalen e Botërorit mes Anglisë dhe Kroacisë, duke “braktisur” skuadrën e qytetit të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here