Më në fund lajme të mira për Milanin: Rosonerët do të luajnë në Europë

Milan do të marrë pjesë në edicionin 2018/19 të Europa League. CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) ka shfuqizuar vendimin e marrë nga UEFA për përjashtimin e kuqezinjve nga kompeticionet europiane.

Gjykata e Lozanës ka vendosur t’i japë milanezëve një ndëshkim më të përshtatshëm. Pritet komunikata zyrtare. Kuqezinjtë do ta nisin aventurën europiane nga faza me grupe, ndërsa Atalanta do të luajë në fazën kualifikuese.

ELLIOTT VENDIMTAR — Dalja nga skena e Mister Li – nën hetim nga autoritetet italiane për mashtrim financiar – ka rezultuar vendimtare për CAS-in, që duket se është bindur nga plani i paraqitur nga Elliott për stabilizimin ekonomik të kuqezinjve. Një vendim ky që duhet t’i bëjë mirë edhe moralit të skuadrës, që sot në orën 17:00 do të luajë edhe miqësoren e parë të sezonit, kundër Novara-s. Por, mbi të gjitha, vendimi i CAS do të ndihmojë merkaton e kuqezinjve: jo shumë për milionat (nga një minimum prej 10 mln euro deri në një maksimum prej 60) që garanton pjesëmarrja në Europa League, por për rritjen e mundësive për të mbajtur emrat e rëndësishëm në ekip, si kapiteni Leonardo Bonucci.

KOMUNIKATA – Kjo është një pjesë e komunikatës të bërë nga CAS: “Kolegji i CAS ka miratuar pjesërisht kërkesat e Milan dhe ka vendosur si në vazhdim: – vendimi i Adjudicatory Chamber të UEFA CFCB, i marrë 19 qershorin e 2018-ës, konfirmohet pjesërisht për sa i takon mungesës së përmbushjesh së kushteve nga ana e Milan për rregullimin e bilancit; – vendimi i Adjudicatory Chamber të UEFA CFCB, i 19 qershorit 2018, shfuqizohet në pjesën ku thuhet se Milan është përjashtuar nga kompeticionet e ardhshme të UEFA-s; – çështja i kthehet Adjudicatory Chamber dell’UEFA CFCB, që duhet të marrë një masë më të përshtatshme”.

“Kolegji i CAS ka hedhur poshtë kërkesën e Milan për të urdhëruar UEFA-n që ta mbyllë përfundimisht këtë çështje, por ka përcaktuar se vendimi i marrë nga Adjudicatory Chamber për përjashtimin e Milan nga kompeticionet europiane për klube nuk është në përpjesëtim të drejtë me shkeljet. Kolegji ka vërejtur se nuk janë marrë në konsideratë disa elemente të rëndësishme nga Adjudicatory Chamber, ose që këto elemente nuk mund të merrnin konsideratën e duhur në momentin e marrjes së vendimit (19 qershor 2018), siç është situata financiare e klubit, që është përmirësuar ndjeshëm pas ndryshimit të pronësisë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here