Shkëndija ‘blindon’ Besart Ibraimin, i cili firmos kontratë të re me kuqezinjtë, duke u lidhur me marrëveshje deri në verë të vitit 2021.
Bomberi më i mirë i tre viteve të fundit në elitën e futbollit në Maqedoni vendos që edhe përiudhën në vazhdim të jetë pjesë e skuadrës kuqezi, kur pritet të vazhdojë rendimentin e deritashëm.
Kontrata e paraprake e Ibraimit skadonte në qershorin e vitit 2019, mirëpo duke dashur t’a sigurojnë për një periudhë më të gjatë kohore drejtuesit e klubit vendosën t’i ofrojnë rinovimin.
Duke vlerësuar insistimin e klubit Ibraimi ka refuzuar oferta shumë të volitshme, ndërsa ka gjetur akordin për të vazhduar kontratën edhe për dy vite tjera. Kështu Shkëndija dhe Ibraimi me marrëveshjen e re firmosin bashkëpunim deri në verën e vitit 2021.
Me kontratën e re dyvjeçare dhe një që kishte me marrëveshjen e vjetër, Besart Ibraimi pritet të kompletojë gjashtë sezone në rradhët e Shkëndijës. Brenda kësaj periudhe nëse vazhdon me ritmin e deritashëm, pritet të thyejë shumë rekorde statistikore.