Panucci mer lajme të frikshme nga Rusia

Një pjesë e legjionarëve kanë zbritur ditën e djeshme në fushë. Nga Rusia, në Belgjikë, sytë e teknikut Christian Panucci kanë qenë të përqëndruar te Odise Roshi, Bekim Balaj dhe Sindrit Guri. Ekipi rus i Akhmatit priti në shtëpi skuadrën e Rubin Kazanit. Një ndeshje që duhej fituar për ekipin e shqiptarëve, pasi kishin humbur një javë më parë me rezultatin 3-1 kundër Arsenal Tula në transfertë.

Roshi dhe Balaj e nisën nga stoli takimin, ndërsa titullar ishte Bernard Berisha. Roshi u fut në minutën e 46-të, por ndeshja e tij nuk shkoi aspak mirë, pasi u dëmtua në minutën e 77-të. Vendin e tij në fushën e lojës e zuri Balaj. Sulmuesi shkodran nuk arriti të linte shenjë.

I vetmi që bëri mirë ishte shqiptari i Kosovës, Bernard Berisha. Ky i fundit asistoi në minutën e fundit të shtesës duke shmangur humbjen e rusëve. Trajneri i Akhmatit, Igor Ledyakhov, u pyet për mesfushorin fierak pas ndeshjes dhe përgjigjja e tij nuk ishte shumë optimiste. “Ai u ekzaminua nga doktori dhe do të merret vesh nesër shkalla e dëmtimit”. Pas Sadikut dhe Cikalleshit, Panucci duhet t’i bëjë llogaritë pa mesfushorin titullar, Roshi.

Nëse në Rusi tekniku italian u bë me dhimbje koke, në Belgjikë po kënaqet disi. Sindrit Guri e nisi sërish si titullar takimin e djeshëm për ekipin e tij të Ostendes. Shkodrani shijoi fitoren e dytë në 4 javë, pasi skuadra e tij mposhti 2-1 Royal Excel Mouscron. 24-vjeçari qëndroi 90 minuta në fushë, por nuk arriti të shënonte gol. Kristal Abazaj po has shumë vështirësi, pasi ende nuk ka debutuar te Anderlechti.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here